Nepsi për ushqime të caktuara në shtatzëni nuk është mit, fajin e ka dopamina

Nepsi për ushqime të caktuara në shtatzëni nuk është mit, fajin e ka dopamina

15 February 2019 09:31

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se nepsi për ushqim në shtatzëni është në fakt një mit, ky problem ekziston. Gratë shtatzëna shpesh në situata të tilla nuk kujdesen fare se çfarë hanë, kështu që shpesh mund të vëreni se bëjnë kombinime të çuditshme si patatinat e mbuluara me fasule, salcë apo ajkë.

Gratë shtatzëna nganjëherë kanë oreks të çuditshëm prandaj mund t’i shihni se si kombinojnë tranguj dhe akullore ose për shembull i zhytin bananet në keçap, siç kishte bërë Beyonce. Gratë shtatzëna janë më të uritura edhe për shkak të hormoneve, përcjell “Huffington Post”.

Lauren Hayes, një nënë nga Wisconsin, zbuloi se e kishte një dëshirë të pangopur për akullore kur po e priste fëmijën e saj të dytë. Megjithatë, kjo nuk ishte një akullore e zakonshme. Ajo donte vetëm akullore të butë dhe kremoze nga vanilja e cila mund të blihej vetëm në zinxhirët e supermarketeve Dairy Queen dhe Culver’s.

"Duhej të dilja me vajzën time njëvjeçare nëpër shi vetëm për ta blerë atë akullore. Ishte situatë aq e çmendur. Kur isha shtatzënë me të nuk kisha nevojë të tillë, por gjatë shtatzënisë së dytë nuk mund të ndaloja së menduari për atë akullore", tha Lauren Hayes.

Në fakt, hulumtimet shkencore kanë treguar se gratë shtatzëna kanë tendencë të hanë ushqim më të pasur me kalori dhe yndyra. Edhe pse arsyeja e saktë nuk dihet, si duket ekziston një lidhje hormonale.

Dr. Jolene Brighten shpjegoi se hormonet seksuale femërore ndryshojnë gjatë shtatzënisë.

"Tek shtatzënat niveli më i ulët i dopaminës e shkakton dëshirën për çdo ushqim", tha Brighten.

Dopamina është një komponent kimik që në sistemin nervor periferik dhe qendror vepron si neurotransmetues. Atë e tajitë hipotalamusi dhe vepron si hormon i inhibimit të prolaktinës nga hipofiza. Për shkak të kësaj, femrat shpesh në shtatzëni mendojnë se hanë ushqime që janë të pasura me yndyra dhe kalori sepse ato e rrisin nivelin e dopaminës dhe prandaj ndihen mirë.

Kur niveli i dopaminës bie gjatë shtatzënisë, femrat mund të jenë më të prira të kërkojnë ushqime që do ta rrisin atë përsëri. Papritmas, ushqimi për të cilin nuk keni menduar për vite, mund të dominojë në fantazitë tuaja për drekë.

Ekzistojnë gjithashtu teori se shtatzënat duan ushqime që u japin atyre substanca ushqyese që u mungojnë. Nutricionistja Alice Vitti thotë se dëshira për ushqim në përgjithësi sinjalizon se trupi juaj i kërkon disa mikroushqyes.

"Dëshira për kripë mund të jetë tregues i mungesës së magnezit, kalciumit dhe kaliumit, ndërsa dëshira për gjëra të ëmbla ndodhë për shkak të mungesës së karbohidrateve dhe kalorive, yndyrës dhe mungesës thelbësore të acideve yndyrore," tha Alice Vitti.

Dëshira për ushqim, siç janë produktet e qumështit, ushqimet e ëmbla dhe yndyrat, zakonisht shfaqet tek femrat që nuk kanë ngrënë ushqim të tillë në të kaluarën e tyre.

Dhe vërtetë shumë femra e kanë konfirmuar se gjatë shtatzënisë kanë ngrënë gjëra të cilat në kushte normale nuk do t’i hanin kurrë, si picat me salcë nga çokollata. Ndërsa disa femra shtatzëna janë krejtësisht të çmendura pas ushqimeve të yndyrshme.

Sigurisht, yndyra mund të merret edhe nga ushqyes të shëndetshëm si salmoni, megjithatë, femrat shtatzëna i preferojnë versionet më të pashëndetshme. Në përgjithësi, dëshira për ushqime të caktuara në shtatzëni nuk është shkak për shqetësim, por përpiquni të mos e teproni. Gjithashtu, rekomandohen racione më të vogla.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme