Lifestyle

Frutat, perimet, lëngjet dhe çdo gjë tjetër mbi ushqyerjen

Foto: Ilustrim

Piramida e ushqimit është udhëzuesi kryesor se cilat ushqime duhet të konsumohen së pari, cilat janë më të shëndetshmet dhe për nga vlerat ushqyese cilat janë më të rekomandueshme për çdo kategori moshe.

Dietologët dhe shumë specialistë të fushës së shëndetit kanë pranuar këtë piramidë, edhe pse vite pas vitesh sërish piramida ka pësuar ndryshime, disa syresh hiqen e disa të tjera shtohen.

Megjithatë, ne ju propozojmë piramidën klasike të ushqimit dhe vlerat kalorike të një pjesë të mirë të produkteve ushqimore, që konsumojmë çdo ditë, rekomanduar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Frutat dhe perimet

Frutat dhe perimet janë burim vital i vitaminave dhe i mineraleve. Duhen të hahen pesë porcione të frutave dhe perimeve në ditë. Ushqimi në këtë grup është burim i shkëlqyer i vitaminave C, fibrave, kaliumit dhe antioksidantëve. Frutat dhe perimet janë hapi më i rëndësishëm në mbajtjen e të ushqyerit të shëndetshëm e të balancuar dhe duhet të jenë pjesë themelore e ushqimit.

Buka, orizi, patatja, pastat

Buka, drithërat, patatja dhe pastat janë pjesë e rëndësishme e ushqimit të shëndetshëm. Janë burim i mirë i energjisë dhe burimi kryesor i materieve ushqyese në të ushqyerin tonë. Ky ushqim është karburant për trupin.

Mishi, peshku, vezët dhe bimët bishtajore

Këto ushqime janë burim i mirë proteinash, që janë të domosdoshme për rritjen dhe ripërtëritjen e organizmit. Ato janë po ashtu burim i mirë i vitaminave dhe i mineraleve. Rreth 15 për qind e kalorive që i hamë çdo ditë, duhet të vijnë nga proteinat. Mishi është burim i mirë proteinash, vitaminash dhe mineralesh, siç janë hekuri, zinku dhe vitamina B. Po ashtu janë një nga burimet kryesore të vitaminës B12. Peshku është një burim tjetër i rëndësishëm i proteinave, ndërsa përmban shumë vitamina dhe minerale. Peshku i kaltër është veçanërisht i pasur me acide yndyrore omega 3. Vezët dhe bimët bishtajore janë po ashtu burim i madh i proteinave. Në dallim nga mishi, bimët bishtajore përmbajnë më pak yndyra dhe shumë fibra.

Qumështi dhe nënproduktet e tij

Qumështi dhe nënproduktet e qumështit, si djathi dhe jogurti janë burim i mirë proteinash. Ata po ashtu përmbajnë kalcium, i cili ndihmon në mbajtjen e eshtrave të shëndetshme. Por, disa produkte qumështore përmbajnë nivele të larta të yndyrave të ngopura. Për së tepërmi, yndyra te ngopura mund të rrisin nivelin e kolesterolit në gjak dhe të rrisin rrezikun nga sëmundjet e zemrës. Përdorni qumësht të skremuar, djathëra më pak të yndyrshme dhe jogurt me yndyrë të ulët.

Yndyrat, vajrat dhe sheqernat

Yndyrat, vajrat dhe sheqernat janë burime të mira të energjisë për trup, por përmbajnë shumë kalori. Nëse konsumohen shumë, mund të çojnë deri te shtimi në peshë. Kjo mund të çojë te trashja, çka rrit rrezikun nga diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje të kancerit.

Kaloritë për 100 gr:

Pijet:

Kafe pa sheqer - 5 kalori;

Coca-Cola - 39 kalori;

Limonadë - 46 kalori;

Raki - 245-280 kalori;

Verë - 60-120 kalori;

Uiski - 245 kalori.

Yndyrat:

Vaj ulliri - 883 kalori;

Margarinë - 696 kalori;

Majonezë - 718 kalori;

Gjalpë - 716 kalori.

Veza:

1 vezë e pagatuar - 162 kalori;

Të verdha veze - 360 kalori.

Fruta:

Ullinj - 116 kalori;

Portokall - 49 kalori;

Mollë - 58 kalori;

Kumbulla - 60 kalori;

Rrushi i freskët - 67 kalori.

Perime:

Karota - 40 kalori;

Patëllxhanë - 25 kalori;

Lakër - 25 kalori;

Lulelakër - 27 kalori;

Barbunja - 123 kalori;

Fasule - 338 kalori;

Qepë - 38 kalori;

Patate - 114 kalori;

Domate - 40 kalori.

Bulmeti:

Djathë - 378 kalori;

Qumësht lope - 64 kalori;

Qumësht i kondensuar (pa sheqer) - 138 kalori;

Kos - 71 kalori.

Mishi (i pagatuar):

Mish viçi - 243 kalori;

Ramstek - 303 kalori;

Mish derri - 341 kalori.

Brumërat:

Biskota - 389 kalori;

Bukë - 227 kalori;

Miell - 331 kalori;

Misër - 362 kalori;

Oriz - 360 kalori.

Ushqimet e shëndetshme sipas ngjyrave:

Ushqimet me ngjyrë të bardhë – forcojnë imunitetin;

Ushqimet me ngjyrë jeshile – janë detoksifikuese;

Ushqimet me ngjyrë të verdhë – janë tejet ushqyese, sidomos për bukurinë;

Ushqimet me ngjyrë portokalli – parandalojnë kancerin;

Ushqimet me ngjyrë të kuqe – mbrojnë shëndetin e zemrës;

Ushqimet me ngjyrë të purpurt – janë për jetëgjatësi./mapo