Lifestyle

Realizohen për herë të parë implantet kokleare falas në QSUT

Për herë të parë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Shërbimin e ORL-së (Oto-Rhino-Laringologjisë), u bë i mundur realizimi me sukses i ndërhyrjeve të para kirurgjikale për vendosjen e implantit koklear te fëmijët me probleme të thella dëgjimi.

Implanti koklear, e cila është një pajisje e kompjuterizuar që mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor), implantohet në fëmijët që kanë shurdhësi të thellë dhe nuk përfitojnë më nga asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi. Të tre fëmijët ku është realizuar kjo ndërhyrje deri më tani, janë në një gjendje shumë të mirë.

Shef i Shërbimit të ORL-së në QSU “Nënë Tereza”, profesor Besim Boçi, nënvizoi se për herë të parë në këtë shërbim është kryer me sukses ndërhyrja për vendosjen e implantit koklear në tre fëmijë, teksa shpreh falënderimin për mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për këtë program.

Implanti koklear është një ndërhyrje që indikohet në fëmijët me shurdhësi të thellë dhe që nuk përfitojnë me asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi, proteza akustike le të themi. Sigurisht që është një nga operacionet që kërkon infrastrukturën e duhur në sallën e operacionit dhe unë, meqë mu dha rasti, një falënderim të veçantë kam për Ministrin që na mbështeti në këtë iniciativë dhe për drejtoreshën e spitalit e cila na krijoji gjithë infrastrukturën e duhur që këto tre ndërhyrje të realizoheshin me sukses”, theksoi profesor Boçi.

Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu tha se realizimi i ndërhyrjeve të tilla ka qenë një nga objektivat kryesorë të Shërbimit të ORL-së, i cili u realizua më sukses.

“Jemi shumë të kënaqur që arritëm që brenda 2017-ës, pra në muajt e parë, të plotësonim një ndër objektivat shumë të rëndësishëm që i kishim vënë vetes në shërbimin e ORL-së, për të kryer implantet e para kokleare. Falë mbështetjes së Fondacionit “Lichtenstein”, falë mbështetjes të kompanisë “MED-EL”, falë vizonit dhe përkushtimit të mjekëve të shërbimit të ORL-së, profesor Besim Boçit dhe gjithë ekipit të tij, falë mbështetjes së Profesor Trotiç, që nga Zagrebi ka ardhur pikërisht për të asistuar ekipin tonë për të realizuar këto ndërhyrje, ne sot kemi realizuar një ndër objektivat që kemi vendosur për të realizuar gjatë këtij viti dhe mbi të gjitha për të filluar dhe për ti hapur rrugën implanteve kokleare dhe kryerjes së tyre në QSUT”, theksoi Manastirliu.