Lifestyle

Pas disa vjetësh nuk do të ketë insulinë për të gjithë diabetikët, thonë ekspertët

Në vitin 2030, 40 milionë diabetikë nuk do të kenë insulina. Ndërkohë që numri i njerëzve që jetojnë me sëmundjen e diabetit vazhdon të rritet, qasja tek insulina e nevojshme po përballet me rritjen e kërkesës dhe së shpejti mund të ketë probleme.

Sipas një studimi të ri, deri në vitin 2030, 79 milionë të rritur me diabet të tipit 2 pritet të kenë nevojë për insulinë për të menaxhuar sëmundjen, e nëse nivelet aktuale të qasjes do të vijojnë, vetëm gjysma e tyre mund të jenë në gjendje të sigurojnë sasinë që u duhet.

Insulina nevojitet për të trajtuar të gjithë personat e prekur nga diabeti i tipit 1 dhe të tjerë të prekur nga diabeti i tipit 2, shkruan Top Channel. Kjo formë e fundit e sëmundjes lidhet shumë me faktorë të jetesës së përditshme, si obeziteti, dieta e mangët apo mungesa e aktivitetit fizik.

Ekspertët thonë se numri i të prekurve nga diabeti do të rritet, ndaj duhen marrë masa për insulinën. Në të gjithë botën, numri i të rriturve me diabet të tipit 2 do të rritet nga 406 milionë sa është këtë vit, në 511 milionë në 2030-ën. Nga totali i 511 milionë të prekurve, 79 milionë parashikohet të kenë nevojë për insulinë, që do të thotë 20 për qind rritje të kërkesës, e vetëm 38 milionë do të mund ta sigurojnë atë.