Marihuana është e rrezikshme, jo argëtim – një mjek shpjegon arsyet Foto: Ilustrim

Marihuana është e rrezikshme, jo argëtim – një mjek shpjegon arsyet

16 November 2018 18:17

Nga Dr. David B. Samadi, | Fox News

Javën e kaluar, legalizimi i marihuanës u bë një çështje e nxehtë. Kjo së pari ndodhi sepse në fillim të vitit 2018 përdorimi argëtues i drogës u bë i ligjshëm në Kaliforni. Së dyti, sepse Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions lajmëroi se ai do t’i lejonte prokurorët e SHBA që të gjykonin vetë nëse do të vendosnin ligje federale që ndalonin si të paligjshëm përdorimin dhe shitjen e marihuanës në shtetet që e kishin legalizuar këtë drogë.

Sessions-i i dha fund një politike të administratës së Obamës që ua hiqte prokurorëve federalë mundësinë për të vendosur ligje federale lidhur me marihuanën në shtetet që e lejojnë përdorimin mjekësor ose argëtues të kësaj droge. Por ende nuk është e qartë se çfarë rezultati do të ketë nisma e Prokurorit të Përgjithshëm.

Si mjek që jam, dijet e mija mjekësore më thonë se të bësh marihuanën ligjërisht të disponueshme është shumë gabim, me përjashtim ndoshta kur këtë e kërkojnë disa kushte shëndetësore të caktuara. Marihuana është një drogë halucinative e fuqishme e cila, siç do ta shpjegoj më poshtë, mund të shkaktojë dëme serioze. Edhe ajo është, as më pak as më shumë, një substancë tjetër për të cilën duhet t’i porositim fëmijët tanë që t’i rrinë larg.

Siç e dimë të gjithë, shumë njerëz e përdorin marihuanën edhe atje ku ajo vazhdon të jetë e paligjshme. Mirëpo legalizimi do të çojë në shtimin e përdorimit të saj dhe do t’i bëjë shumë njerëz që të besojnë se ajo nuk është aq e dëmshme.

Pranimi përherë e më i shtuar i marihuanës së legalizuar është një prirje alarmuese. Vitet e fundit kjo prirje u përhap me shpejtësi dhe sot shtatë shtete, bashkë me Uashingon D.C. (Distrikti i Kolumbisë), lejojnë marihuanën argëtuese. Një numër prej 29 shtetesh bashkë me Distriktin e Kolumbisë lejojnë disa lloje të marihuanës mjekësore.

Është për të ardhur keq që në vitet e ardhshme ka shumë të ngjarë që amerikanët të bëhen përherë e më të mësuar me marihuanën duke pohuar se ajo është thjesht një mënyrë tjetër për t’u “ndier mirë”.

Është krijuar një përshtypje e fortë se CNN ka bërë gjithë ka ka mundur për të indoktrinuar publikun lidhur me normalizimin dhe pranimin e marihuanës. Si mjek i shëndetit që jam, këtë inkurajim dhe këtë tallje unë i konsideroj si të papërgjegjshme dhe dëshpëruese.

Si përfitojmë ne si shoqëri nga legalizimi i marihuanës? Ndoshta kjo ka kuptim nga pikëpamja financiare – mund të bëjë që të marrin fund shitjet e paligjshme duke krijuar më shumë të ardhura nga taksat dhe duke hapur vende pune. Por ç’do të thoshim ne për shëndetin e gjithanshëm të bashkëqytetarëve tanë? A s’duhet që ai të jetë në plan të parë? A nuk mund të ketë ide të tjera krijuese për të rritur të ardhurat dhe për të frenuar krimin?

Nga pikëpamja mjekësore lind pyetja: pse legalizimi i një droge tjetër halucinative është gjëja e duhur për t’u bërë? Shtetet e Bashkuara ndodhen tashmë në mes të një krize shkatërrimtare me receta opiatesh (derivate të opiumit) dhe heroine. Gjithashtu, individë nga të gjitha shtresat e shoqërisë ndodhen nën kthetrat e abuzimit me alkool dhe drogë.

Përpara se të jetë shumë vonë duhet të mendohemi mirë që një drogë të paligjshme ta bëjmë të ligjshme, pasi duhet të përcaktojmë se çfarë pasoje do të ketë ky hap madhor në brezat e ardhshëm.

Shpesh marihuana trajtohet si substancë e padëmshme – si diçka me të cilën mund të luhet dhe të qeshet dhe si diçka me të cilën njerëz që ne i admirojmë në TV, në filma e gjetkë, kënaqen duke gjetur tek ajo një mënyrë shkëputjeje nga rutina e kësaj bote. Cili është mesazhi? Ha një kaush akullore, një copë kek, pi një birrë ose një cigare marihuane. S’ka asgjë të keqe të kënaqësh veten.

Nuk kishte ilustrim më të mirë sesa ky, kur djemtë dhe vajzat moderne në CNN, në vigjiljen e Vitit të Ri 2018, e kremtuan ardhjen e tij me një veprimtari që u kthye në një festë marihuane dhe që u transmetua televizisht në mbarë vendin.

“Emri më i mirëbesuar në lajme” transmetoi televizisht një mjegull tymi marihuane që i mbështillte festuesit gjatë një kremtimit të Vitit të Ri në Denver. Festa me “thithje, parada dhe bojatisje” u filmua nga reporteri i CNN-it, Randi Kaye, duke nxjerrë në pah qejflinjtë që “thithnin tym”, përdornin nargjile e madje edhe një maskë gazi të posaçme teksa deheshin nga droga në këtë qytet malor.

Dukej sikur CNN-i po bënte çmos për të indoktrinuar publikun rreth normalizimit dhe pranimit të marihuanës. Si mjek i shëndetit unë e quaj këtë inkurajim dhe shaka si të papërgjegjshme dhe dëshpëruese.

Ç’është marihuana?

Dua të sjell disa fakte mbi marihuanën që duhet t’i dijë çdo amerikan.

Marihuana është e ngjashme me kërpin, por përftohet nga gjethet e thara, lulet, kërcelli dhe farat e bimës kanabis. Kimikati kryesor halucinativ vjen nga delta-9-tetrahidrokanabinoli, or THC. Ky kimikat mund të thithet në formë tymi, avulli (duke thithur avullin), madje duke e ngrënë të futur në ushqime si në kek, biskota ose karamele, ose duke e pirë si çaj.

Shqetësues është sidomos fakti se sot marihuana nuk është siç ka qenë në vitet 1960 ose 1970. Me kalimin e dekadave përqendrimi i THC-së në bimën e kanabisit është rritur duke e bërë atë më të fuqishme.

Një metodë e kohëve më të fundit për t’u dehur me këtë drogë është tymosja e rrëshirave të THC-së që nxirren nga bima. Ekstraktet janë po aq të fuqishme dhe i kalojnë trupit të njeriut sasi të mëdha THC-je. Kjo ka bërë që shumë përdorues të përfundojnë në urgjencën e spitalit.

Ç’pasoja krijon marihuana në trup?

Marihuana shkakton në trup pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.

Duke tymosur marihuanë njeriu e ndien efektin e saj brenda pak minutash, pasi THC-ja kalon shpejt nga mushkëritë në gjak, në tru dhe në organe të tjera.

Ajo që shkakton “dehjen” që përjetojnë njerëzit është efekti i marihuanës në aktivizimin e skajshëm të atyre pjesëve të trurit që përmbajnë qeliza ndjesore të posaçme. Kjo shpie në ndryshime ndaj perceptimit të kohës, në ndryshime të tjera shqisore, në luhatjen e humorit, në çrregullimin e lëvizjeve të trupit, të kujtesës dhe në vështirësi për zgjidhjen e problemeve.

Studiuesit vazhdojnë të studiojnë efektet afatgjata të marihuanës. Ajo çka dihet është se sa më i ri në moshë të jetë një përdorues i marihuanës, për shembull në adoleshencë, aq më e madhe do të jetë rënia e tij në dijet e përgjithshme, në dëmtimin e të menduarit, vështirësi në të mësuar dhe në një Koeficient Inteligjence më të ulët.

Efektet e tjera si fizike edhe mendore të përdorimit të marihuanës përfshijnë çka vijon:

Probleme të frymëmarrjes – Tymi i marihuanës pezmaton mushkëritë duke shkaktuar dëme me rrezik të lartë për bronshit kronik dhe për molepsje të mushkërive.

Shtim i rrahjeve të zemrës – Marihuana e rrit ritmin e rrahjeve të zemrës gjatë tri orëve pas tymosjes duke shtuar rrezikun e atakut kardiak veçanërisht tek ata që kanë probleme të zemrës.

Dëm ndaj foshnjave të palindura – Gratë shtatzëna që përdorin marihuanë mund të lindin fëmijë me një peshë më të vogël dhe me rrezik të lartë për probleme të trurit dhe të sjelljes gjatë fëmijërisë. Fëmijët që i janë ekspozuar marihuanës që në mitër kanë probleme të vëmendjes, të kujtesës dhe të zgjidhjes së problemeve në krahasim me fëmijët e paekspozuar.

Pështirojse e fortë dhe të vjella – Ata që janë përdorues të hershëm dhe të rregullt të marihuanës mund të kenë sindromin cannabinoid hyperemesis i cili shkakton cikle përshtirosjeje të acaruara, të vjella dhe dehidratim (humbje të ujit në trup).

Halucinacione të përkohshme dhe paranojë.

Probleme të tjera mendore dhe të sjelljes – Njerëzit me skizofreni mund të ketë simptoma përkeqësimi. Përdoruesit e marihuanës – sidomos të shpeshtët – mund të kenë ndjesi të pakëndshme ndaj jetës, probleme të shoqërimit (të lidhjeve) si dhe suksese më të pakta në shkollë dhe në punë. Tek adoleshentët e vegjël përdorimi mund të çojë në një mundësi më të madhe për të braktisur shkollën krahas problemeve të tjera si mungesat, aksidentet dhe plagosjet në punë.

Cilido që përdor marihuanën nuk duhet ta marrë kurrsesi këtë drogë nëse do të punojë me pajisje të rënda ose të rrezikshme. Çdo grua shtatzënë që e përdor këtë drogë duhet ta ndalojë sa më parë. Njerëzit me probleme të zemrës dhe të mushkërive duhet ta shmangin me çdo mënyrë; ajo nuk duhet përdorur kurrë dhe në asnjë formë në prani të fëmijëve dhe të adoleshentëve.

Pavarësisht se ç’mund të thonë përkrahësit e marihuanës, ajo mund të çojë në çrregullime të shkaktuara nga substanca (narkotiku). Ky lloj çrregullimi mund të krijohet në gamën midis 9 dhe 30 për qind të përdoruesve. Ata që e nisin përdorimin e marihuanës përpara moshës 18 vjeç janë katër deri në shtatë herë më të rrezikuar sesa të rriturit për të pësuar çrregullimin e përdorimit të marihuanës.

Ç’mund të thuhet për marihuanën mjekësore?

Ndonëse ky problem është tejet i kontestuar, Administrata e Ushqimit dhe e Barërave të SHBA ka miratuar medikamente që përmbajnë barërat sintetike THC dronabinol dhe nabilone, që të dyja forma artificiale të kanabisit. Ato përdoren si nxitëse të oreksit te pacientët me AIDS dhe për shmangien e pështirojes dhe të vjelljes në rastet e kimioterapisë.

Sot për sot, trajtimi i mjekësor i patologjive duke përdorur marihuanën është ende i paligjshëm në shkallë federale. Ende mungojnë të dhëna nga studime të gjera, afatgjata dhe të mirëpërcaktuara mbi rreziqet e mundshme kundrejt dobive që mund të ketë përdorimi i marihuanës për të lehtësuar simptomat e disa patologjive mjekësore.

Megjithatë, studimet mbi kannabidiol-in, një përbërës i fuqishëm i marihuanës që nuk i ka efektet halucinative të THC-së, janë në vazhdim. Kjo mund të përbëjë një premtim të fuqishëm për të lehtësuar patologjitë si epilepsitë rezistente ndaj medikamenteve dhe disa çrregullimave psiqike si ankthi, çrregullimet e shkaktuara nga narkotikët, skizofrenia dhe psikoza.

Ç’përfundime jemi duke nxjerrë?

Përfundimi më i mirë është – si mund t’i nxitim njerëzit që të “dehen” duke pasur shumë kujdes ndaj shëndetit të tyre? Janë disa gjëra të vogla, si fjala vjen rëndësia që ka çdo kafshatë shujte që ne hamë, ushtrimi i veprimtarive fizike të përditshme për të krijuar natyrshëm një “dehje” me endorfinë (qetësues), lehtësimi i stresit duke soditur një lindje ose një perëndim dielli, ose përftimi i ndjenjave pozitive duke ndihmuar të tjerët.

Ato janë lloje “dehjesh” pozitive, përforcuese të jetës, dhe pa rreziqe për shëndetin tonë. Është vërtetuar vazhdimisht se tymosja e marihuanës dhe rënia në gjendjen halucinative të shkaktuar nga THC-ja ka më shumë anë negative sesa pozitive.

Pavarësisht se sa i këndshëm duket përdorimi i marihuanës në TV ose në filma, pavarësisht se ç’thotë shoqëria jote për të, pavarësisht se shumë njerëz thonë se ai është i padëmshëm, dhe pavarësisht se ç’ligje miratojnë politikanët për të marrë vota ose të të shtuar të ardhurat nga taksat, mos harroni një gjë: nëse nuk keni probleme shëndetësore së cilave kjo drogë mund t’u shërbejë, ju do të jeni fare mirë pa të.

Dr. Samadi është onkolog urolog i certifikuar i specializuar në kirurgjinë tradicionale dhe laparoskopike (me sondë) dhe është specialist në kirurgjinë robotike të prostatës. Është kryetar i urologjisë, shef i kirurgjisë robotike në spitalin Lenox Hill dhe profesor i urologjisë në fakultetin e mjekësisë Hofstra të Bregut Lindor. Është korrespondent mjekësor i kanalit Fox News Channel's Medical A-Team dhe korrespondenti mjekësor kryesor i am970 në qytetin e Nju Jorkut. Mund të mësoni më shumë në roboticoncology.com. Vizitoni blogun në SamadiMD.com. Ndiqni Dr. Samadin në Twitter dhe Facebook...(përktheu Stavri Pone).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme