Lifestyle

Studiuesit anglezë thonë që rruga për në punë duhet të llogaritet në orarin e punës

Shfrytëzuesit e transportit të qytetit shpesh e përdorin kohën sa rrugëtojnë për në punë për të dërguar emaila, dhe kjo duhet të llogaritet në orarin e punës, thonë studiuesit.

Qasja më e madhe në internet pa tel në trena dhe përdorimi i përhapur i telefonave mobilë e kanë zgjatur orarin e punës, sipas një studimi nga Universiteti i Anglisë Perëndimore.

Studimi i analizoi 5.000 udhëtarë të trenave në linjat e qytetit në Londër, pasi që interneti pa tel u bë më i disponueshëm, transmeton “Koha Ditore”. Sipas këtij studimi, 54 për qind e udhëtarëve e përdorin internetin pa tel në trena për të dërguar emaila në lidhje me punën e tyre.

Ata që shkojnë në punë dërgojnë emaila për punën që i pret, ndërsa ata që kthehen nga puna i përfundojnë punët që nuk kanë arritur t’i përfundojnë në orët e rregullta të orarit të punës.

Rezultoi se interneti më i mirë ndikoi në zgjatjen e orarit të punës dhe që njerëzit në tren përdorin laptopë dhe telefona mobilë.

Ky studim e ngriti çështjen e ekuilibrit midis punës dhe jetës private dhe nëse është e shëndetshme të zgjatet orari i punës kur njerëzit në mënyrë rutinore iu përgjigjen e-mailave jashtë orarit të rregullt të punës, përcjell BBC.

Shkencëtarët e parashtrojnë pyetjen, se nëse rruga për në punë është bërë pjesë praktike e asaj pune, atëherë a nuk duhet të njihet ajo si pjesë e orarit të punës.