Lifestyle

Ajri i ndotur mund të dëmtojë performancën intelektuale

Ekspozimi kronik ndaj ajrit të ndotur mund të dëmtojë performancën intelektuale, thuhet në një studim të ri, të publikuar nga Akademia Kombëtare e Shkencave në SHBA.

Hulumtuesit besojnë se ndikimi negativ rritet me moshën dhe prek më së keqi njerëzit me më pak shkollim.

Përgjatë katër vjetëve, hulumtues amerikanë dhe kinezë kanë monitoruar aftësitë verbale dhe në matematikë të rreth 20,000 njerëzve në Kinë, transmeton REL.

Ata besojnë se rezultatet kanë rëndësi globale, pasi mbi 80% e popullsisë urbane të botës thith ajër të ndotur.

Sipas studimit, ajri i ndotur gjithashtu rrit rrezikun e sëmundjeve degjenerative, të tilla si Alzheimer.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar ajrin e ndotur si vrasës të padukshëm dhe ka vlerësuar se ai shkakton rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit në mbarë botën.