Lifestyle

Metabolizmi me kalimin e moshës nuk është fajtori kryesor për shtimin e peshës

Descriptive Text

Ashtu si kur automobili juaj i preferuar fillon ta tregojë vjetërsinë e tij, shumë prej nesh fillojnë të shtojmë në peshë ndërkohë që bëhemi më të vjetër.

“Nuk është siç ishte dikur!”. E kam dëgjuar një mik duke thënë ditë më parë ndërsa me dashuri e goditi barkun e tij siç e godet dikush me dashuri kofanon të automobilit të vet të vjetër.

Shumë njerëz e fajësojnë metabolizmin e ngadaltë për shtimin e peshës, transmeton Koha.net. Por rezulton se metabolizmi ynë nuk është fajtori i vërtetë kur bëhet fjalë për peshën që duket se përvidhet me çdo dekadë që kalon.

Në fakt, shtimi në peshë që lidhet me moshën ka shumë më tepër të bëjë me aktivitetin tonë sesa me metabolizmin tonë, i cili lëviz shumë pak pas moshës 30-vjeçare, sipas Instituteve Kombëtare të Shëndetit.

“Shtytja e metabolizmit tuaj” është një mit

Metabolizmi ynë, termi për procesin e djegieve të kalorive të cilin e bëjnë organet tona në mënyrë natyrale, ndërron bazuar në aktivitetet e ndryshme që i bëjmë gjatë gjithë ditës.

Për fat të keq, shkalla në të cilën i tretim ushqimet tona dhe e djegim energjinë nuk mund të ndryshohet mjaftueshëm për të shkaktuar humbje peshe. (Jo, ushqimet me erëza dhe çaji i gjelbër nuk do të ndikojnë dot.)

Por me kalimin e viteve, ne gjithashtu bëhemi më pak aktivë, ndërkohë që e konsumojmë përafërsisht të njëjtën dietë, përcjell Koha.net. Studiuesit thonë se kjo – dhe jo shkalla jonë metabolike - është fajtori i vërtetë për peshën e tepërt që e shtojmë derisa bëhemi më të vjetër.

Në vend të kësaj, lëvizni më shumë

Për ta shmangur shtimin e peshës, shtimi i lëvizjes së rregullt është thelbësor. Kjo mund ta përfshijë ecjen nëpër shkallë në punë ose shkuarjen në palestër disa herë në javë - çdo lëvizje e vogël llogaritet.

Në fakt, hulumtimet e reja të publikuara këtë pranverë sugjerojnë se për ta arritur një shëndet më të mirë dhe për ta zvogëluar rrezikun nga vdekja nga çfarëdo shkaku, çdo lloj lëvizjeje është më e mirë se lëvizja e kufizuar ose moslëvizja.

Kjo do të thotë se çdo përpjekje që ju bën të lëvizni dhe të merrni frymë – qoftë ky ushtrimi intensiv dy herë në javë në kick-boxing ose një ecje 30 minutëshe deri në punë - ka përfitime të matshme për trurin dhe trupin tuaj.

Studimi, i publikuar në Journal of the American Heart Association, përdori të dhëna për aktivitetin fizik dhe normat e vdekjeve nga anketat kombëtare të më shumë se 4.800 të rriturve.

Studimi zbuloi se njerëzit me aktivitet më “intensiv” ose të përqendruar (si një sesion fitnesi apo sesion në palestër) nuk kaluan më mirë se njerëzit që e bënë të njëjtën sasi të ushtrimeve në pjesë më të vogla gjatë gjithë ditës (si ecja deri tek treni ose shëtitja e qenit), transmeton Koha.net.

“Mesazhi kryesor i bazuar në rezultate të paraqitura është se aktiviteti total fizik (pra, i çfarëdo kohëzgjatjeje) siguron përfitime të rëndësishme shëndetësore”, shkruajnë autorët e studimit.