Lifestyle

Burrave iu mohohet e drejta për të marrë pjesë në procesin e lindjes, kërkohet që kjo të ndryshohet

Kohëve të fundit shumë baballarë marrin pjesë në lindjen e fëmijëve të tyre, por për të realizuar këtë të drejtë të tyre, ata duhet të shkojnë në spitale private pasi që në spitalin publik të Prishtinës (QKUK) një gjë e tillë ende nuk lejohet.

Kjo nuk është një traditë që është praktikuar shumë as në të kaluarën e as sot, porse, tani burrat kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë që ka prezenca e tyre gjatë lindjes së foshnjës, por, edhe në rastet kur ata dhe partneret janë të gatshëm të përfshihen së bashku në këtë proces, nuk iu jepet kjo mundësi.

Për shtatzënën Marigona Misini prania e bashkëshortit në procesin e saj të lindjes është tejet e nevojshme, pasi që siç thotë ajo, në këtë mënyrë do ta kishte shumë më të lehtë gjatë dhe pas lindjes.

Ajo shprehet e indinjuar me faktin se një gjë e tillë nuk lejohet në spitalin publik.

“Normal është shumë më mirë me qenë edhe burri afër neve, me e përjetuar edhe ai ndjenjën e njëjtë sikurse unë, por këtu në Kosovë ende nuk ka ardhur ai rregull. Vetëm në privat, në të shtetit ende jo, por fati, çka me bë”, u shpreh ajo.

Zëvendësdrejtori i repartit të Gjinekologjisë në QKUK, Fehmi Zeqiri, fajin për gjithë këtë ia lë mungesës së infrastrukturës.

Ai në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se janë një mori kushtesh që duhen plotësuar para se një gjë e tillë të ndodhë.

“Nuk ka kushte sepse për të prezantuar bashkëshorti duhet pasur dhoma të posaçme, të ketë shërbime adekuate. Ne i kemi 10 salla ku lindin gratë dhe dëgjohen zërat e zhurmat, andaj për momentin nuk ka kushte”, tha ai.

Ndërsa, është udhëheqësja e programit të UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, e cila bënë të ditur për KosovaPresss, se janë duke punuar për të realizuar të drejtën e bashkëshortëve që të marrin pjesë në procesin e lindjes.

Teksa kjo po zgjatë shumë, ajo thotë se janë vet familjet dhe qiftet ata që duhet të bëjnë presion tek institucionet dhe në maternitete që t’iu lejohet një gjë e tillë.

“Realizimi jonë bëhet përmes avokimit që vet familjet dhe çiftet të bëjnë presion në institucionet dhe nëpër maternitete, që të marrin pjesë në procesin e lindjes së fëmijës së tyre. Edhe në aspektin shkencor është vërtetuar që pjesëmarrja e burrave, apo edhe e partnerit në procesin e lindjes ka rezultuar me rezultate më të mira qoftë me zvogëlim të numrit të komplikimeve gjatë lindjes, gjakderdhjeve dhe rezultateve më të mira në përgjithësi për mirëqenien e gruas dhe fëmijës. Kështu që është një çështje që duhet të avokohet përmes presionit në institucionet vendore”, tha ajo.

Meqenëse më parë ishin rrethanat kufizuese për shkak të infrastrukturës fizike që e bënin të pamundur këtë, Namani thotë se ndërtimi i spitalit të ri të Prishtinës, është mundësia ideale që edhe kjo çështje kaq e rëndësishme të planifikohet me kohë.

“Mendoj që me ndërtimin e spitalit të ri në Prishtinë është rasti unik në mënyrë që prej fillimit të planifikohen hapësirat në mënyrë të mirëfilltë për pjesëmarrjen e burrave në lindje dhe që kjo duhet të jetë pjesë e planit me kohë”, theksoi ajo.

Ndërsa, Kadri Gashi, koordinator i projektit Young Men Initiative (Nisma e Burrave të Rinj) në Kosovë, që synon të promovojë ‘atësi pozitive’, thotë se pjesëmarrja e të dy partnerëve në procesin e lindjes ndikon pozitivisht tek ata dhe fëmija.

Si njohës i mirë i kësaj çështjeje, Gashi thotë se problemi më shumë qëndron tek mungesa e implementimit të ligjit dhe tek mos koordinimi në mes të institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal, konkretisht mes spitaleve të Kosovës.

“Një ndër problemet tjera është ai që konsiderohet se burrat nuk janë të përgatitur që të jenë gjatë procesit të lindjes për shkak se nuk kanë informata, ose nuk janë ballafaquar me këto raste dhe sipas ofruesve të kujdesit shëndetësor, konsiderohet që burrat kanë mungesë të informatave dhe nuk kanë emocione të forta që të përballojnë këto raste. Mendoj se problemi kryesor është që nuk respektohet ligji. Ligji tregon shumë qartë që çdo person mund të përfshihet në proces të lindjes dhe pavarësisht a është apo nuk është i përgatitur, sepse barra e personit nuk është që të merr ndonjë rol gjatë procesit të lindjes por vetëm si ndihmës apo përkrahës i partneres së tij. Kështu që besoj se është shumë e thjeshtë kjo, vetëm duhet sinqeritet dhe përgjegjësi nga ana e instruktorit shëndetësor, mjekët që janë të përfshirë në këto”, u shpreh ai.

Ndryshe, në vendet evropiane burrave iu lejohet që të marrin pjesë gjatë procesit të lindjes në mënyrë që të lehtësohet procesi i lindjes për gruan. Ndërsa në vendin tonë shumë organizata janë përkushtuar që edhe burrat kosovar të përfshihen në këtë proces.