Lifestyle

Ilaçet e urthit lidhen me pneumoni tek të moshuarit

Descriptive Text

"Për çdo 420 njerëz të trajtuar me frenues pompues proton (PPI), i cili e redukton prodhimin e acidit të lukthit, do të ketë 1 rast me pneumoni", tha dr. Jane Masoli, studiuese në Universitetin e Exeter.

Ilaçet e zakonshme të urthit zakonisht janë lidhur statistikisht me pneumoni në njerëzit 60 vjeç e më të moshuar, sipas një studimi të kryer në Britani, transmeotn koha.net.

Hulumtuesit në Shkollën Mjekësore të Universitetit Exeter i kanë studiuar efektet e frenuesve të pompës së protonit, të cilët përdoren për ta trajtuar prodhimin e acidit gastrik dhe për ta mbrojtur lukthin. Gjetjet e tyre u publikuan këtë muaj në Journal of the American Geriatrics Society.

PPI-të e përdorura gjerësisht e përfshijnë Prilosec, Nexium, Prevacid dhe Dexilent. Një ilaç tjetër i përdorur shpesh, Zantac, nuk është PPI, por një bllokues histamine-2.

Studimet e mëparshme kanë treguar se afërsisht 40 për qind e të rriturve të moshuar marrin ilaçe, por 85 për qind e këtyre njerëzve mund të mos kenë nevojë për to.

"Rezultatet e studimit tregojnë se për çdo 420 persona të trajtuar me frenues të pompës proton, i cili e redukton prodhimin e acidit në lukth, do të ketë 1 rast me pneumoni", tha dr. Jane Masoli, studiuese në Grupin e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Publik në Shkollën Mjekësore të Universitetit Exeter, për UPI. "Ky hulumtim nuk është në gjendje të nxjerrë përfundime se pse ndodh kjo. Ne kemi treguar për herë të parë se rreziku i rritur nga pneumonia është i pranishëm kur frenuesit e pompës proton përdoren më gjatë".

PPI-të gjithashtu janë lidhur kohët e fundit me normat e rritura për shqetësime të tjera, duke përfshirë frakturat, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa infeksione bakteriale. Studiuesit thanë se përdorimi i PPI dhe pneumonisë ishte studiuar sepse acidi i lukthit ndihmon në parandalimin e infeksioneve nga zorrët në disa individë.

Hulumtuesit kanë analizuar informatat nga Clinical Practice Research Datalink for England, e cila përmban të dhëna nga shumë praktika të kujdesit parësor në Britani nga 30 vitet e fundit. Për studimin, ata e përdorën datën e fillimit të përdorimit të frenuesit të pompës së protonit, të dhënat nga dy vjet përpara përshkrimit fillestar dhe të dhënat nga dy vjet pas përshkrimit fillestar.

Hulumtuesit i identifikuan 75,050 persona që ishin 60 vjeç e më të moshuar dhe i kishin marrë medikamentet, duke i përputhur ata me një grup kontrolli prej 75,050 njerëzish që nuk e kishin marrë PPI.

Ata thanë se njerëzit nuk duhet domosdoshmërisht ta ndalojnë përdorimin e medikamenteve PPI si rezultat i studimit, por në vend të kësaj ta diskutojnë atë me një profesionist të kujdesit shëndetësor.

Derisa PPI-të janë efektive në reduktimin e acidit të lukthit, parandalimin e ulçerave të lukthit dhe simptomave të sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal, Masoli tha se problemi është se disa pacientë fillojnë me ilaçet në fjalë për një arsye të veçantë, por vazhdojnë t'i marrin ato edhe kur nuk kanë nevojë.

Ajo gjithashtu tha se përveç një pune të konsiderueshme që tregon se rreziku afatshkurtër i pneumonisë ngrihet me përdorimin e PPI, studimi i ri e tregoi një rritje të pneumonisë para se ato të përshkruhen - gjë që mund t’i përshkruajë dallimet tek pacientët që i marrin ilaçet.

"Nevojitet punë e mëtejshme për t’i sqaruar këto dallime në përshkrimin e ilaçeve", tha Masoli, duke shtuar se "mjekët dhe pacientët duhet gjithmonë të sigurohen që medikamentet që merren rregullisht të kenë indikatorë adekuat dhe t’i peshojnë rreziqet kundrejt përfitimeve në baza individuale".