Lifestyle

Gjendja e papeshë ndikon në njerëz sikurse sëmundja

Shkencëtarët rusë dhe kanadezë pohojnë se fluturimi në univers dhe gjendja e papeshë ndikojnë në trupin e njeriut ashtu si edhe sëmundjet.

Gjatë studimeve shkencore, ata konkluduan se në kushte pa gravitacion sistemi imunitar i njerëzve sillet sikur të bëhet fjalë për sëmundje, sepse trupi i njeriut nuk e di se çfarë duhet bërë, prandaj i angazhon të gjitha sistemet e mundshme të mbrojtjes, transmeton koha.net.

Gjetjet e publikuara në revistën shkencore “Nature Scientific Reports” thonë se ndikimi i fluturimeve në hapësirë në trupin e njeriut është studiuar në mënyrë aktive që nga mesi i shekullit të 20-të.

Fluturimi në hapësirë ndikon në metabolizëm, termorregullim, bioritmet e zemrës, punën e muskujve, sistemin e frymëmarrjes dhe funksionet e tjera të trupit të njeriut.

Proteinat janë substanca që e luajnë një rol të madh në procesin e përshtatjes së trupit në kushte të caktuara, kështu që shkencëtarët i kanë kushtuar vëmendje pikërisht atyre.

Në mënyrë që sa më detajisht t’i hulumtojnë efektet e gjendjes së papeshë në fiziologjinë e njeriut, studiuesit e analizuan përqendrimin e 125 proteinave në plazmën e gjakut të 18 kozmonautëve nga Rusia të cilët ndodheshin prej kohësh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, transmeton koha.net.

Kozmonautët u testuan 30 ditë përpara fluturimit dhe menjëherë pas kthimit në Tokë dhe shtatë ditë pas kthimit.

Proteinat e testuara janë biomarkerë të përdorur për t’i zbuluar sëmundjet jo-infektive tek njeriu.

Rezultatet treguan se ishte ndryshuar përqendrimi i këtyre proteinave të përfshira në rregullimin e imunitetit nga lindja, prandaj trupi reagon ndaj fluturimeve në hapësirë si ndaj sëmundjes në nivel molekular.

Gjithashtu, rezultatet e hulumtimit tregojnë se gjatë fluturimit në hapësirë procesit të përshtatjes me kushtet e reja i nënshtrohen të gjitha llojet kryesore të qelizave, organeve dhe indeve në trupin e njeriut.