Pasta nuk kontribuon në shtimin e peshës, thotë hulumtimi

Pasta nuk kontribuon në shtimin e peshës, thotë hulumtimi

10 gusht 2018 12:20

"Pas analizës së provave, tani mund të themi me pak më shumë besim se pastat nuk kanë efekt negativ në rezultatet e peshës trupore kur konsumohen si pjesë e një modeli të shëndetshëm dietik", tha dr. John Sievenpiper, hulumtues në Kanada.

Gjatë humbjes së peshës, njerëzit shpesh nxiten ta ulin sasinë e karbohidrateve në dietën e tyre. Por një studim ka zbuluar se ngrënia e pastave mund të mos kontribuojë në shtimin e peshës ose yndyrës shtesë në trup, transmeton koha.net.

Studiuesit në Spitalin St. Michael në Toronto i bazuan gjetjet e tyre në një meta-analizë të dëshmive në dispozicion nga provat e mëparshme të kontrolluara në mënyrë rastësore. Hulumtimi i tyre u publikua të martën në revistën BMJ Open.

"Pjesa më e madhe e vëmendjes është përqendruar tek sheqernat, por prodhimet tradicionale të karbohidrateve si pastat, orizi dhe buka po përfshihen gjithnjë e më shumë në epidemitë e mbipeshës dhe obesitetit", shkruajnë studiuesit në studim.

"Edhe pse rishikimet dhe meta-analizat sistematike të testeve të kontrolluara në mënyrë rastësore të modeleve dietike që i përfshijnë këto ushqime, por që kanë nivel të ulët të indeksit glikemik, nivel të lartë të drithërave integrale dhe/ose nivel të lartë të fibrave dietike kanë treguar avantazhe për rezultatet e lidhura me peshën, ka ekzistuar një mungesë e përgjithshme e njohjes së rëndësisë së cilësisë së karbohidrateve".

Hulumtuesit i kanë ekzaminuar 32 prova të kontrolluara me rastësi, duke përfshirë 2.448 pjesëmarrës, të cilët kishin ngrënë pasta në vend të karbohidrateve të tjera në një dietë me nivel të ulët të shëndetshëm të indeksit glikemik. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 50 vjeç, ndërsa indeksi i masës trupore ishte 30.4. Në 21 prova, ata përfshinë pjesëmarrës të cilët ishin me mbipeshë ose obesë.

Pjesëmarrësit e konsumuan një mesatare prej 3.3 shujtave me pasta në javë - rreth gjysmë filxhani - në vend të karbohidrateve të tjera. Gjatë 12 javëve, ata i humbën rreth 0.45 kg. Përveç kësaj, indeksi i tyre i masës trupore ra me 0.26 kg, transmeton koha.net.

"Studimi zbuloi se pastat nuk kontribuan në shtimin e peshës ose në rritjen e yndyrës trupore", tha në një njoftim për shtyp dr. John Sievenpiper, shkencëtar në Qendrën Klinike të Ushqyerjes dhe Modifikimit të Rrezikut në spital. "Në fakt, analiza në të vërtetë e tregoi një humbje të vogël në peshë. Pra, në kundërshtim me shqetësimet, ndoshta pastat mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme, siç është dieta e indeksit të ulët glikemik".

Studiuesit paralajmëruan se pastat u konsumuan së bashku me ushqime të tjera të indeksit të ulët glikemik.

"Pas analizës së provave, tani mund të themi me pak më shumë besim se pastat nuk kanë efekt negativ në rezultatet e peshës trupore kur konsumohen si pjesë e një modeli të shëndetshëm dietik", tha Sievenpiper.

Hulumtuesit thanë se do të donin të shihnin nëse ngrënia e pastave si pjesë e dietave të tjera të shëndetshme gjithashtu do të çojë në humbjen e peshës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme