Lifestyle

Konsumimi i frutave arrore mund të ndihmojë tek kanceri i zorrës së trashë

Nëse pacientët me kancer të zorrës së trashë të fazës III hanë fruta arrore rregullisht, ata kanë më pak gjasa për rikthimin e sëmundjes dhe vdekjen, sipas një studimi.

Një studim i udhëhequr nga hulumtuesit në Qendrën e Kancerit Yale në New Haven të Connecticut, i publikuar të mërkurën e kaluar në Journal of Clinical Oncology, thuhet se është i pari që i reflekton efektet e konsumimit të arroreve në kancerin e zorrës së trashë, transmeton koha.net.

Më herët konsumimi i arroreve ka qenë i lidhur me një rrezik më të ulët nga diabeti i tipit 2, sindroma metabolike dhe rezistenca ndaj insulinës – çrregullime këto shpesh të lidhura me kancerin e zorrës së trashë.

"Këto gjetje janë në përputhje me disa studime të tjera vëzhguese që tregojnë se një mori sjelljesh të shëndetshme, duke e përfshirë rritjen e aktivitetit fizik, mbajtjen e një peshe të shëndetshme dhe konsumin më të reduktuar të sheqerit dhe pijeve të ëmbëlsuara, i përmirësojnë rezultatet e kancerit të zorrës së trashë", tha dr. Temidayo Fadelu, post-doktorant në Institutin e Kancerit Dana-Farberit të Harvardit, në një njoftim për shtyp të Yale. "Rezultatet e theksojnë rëndësinë e theksimit të faktorëve dietikë dhe stilit të jetesës në mbijetesën prej kancerit të zorrës së trashë."'

Studimi klinik i përfshiu 826 pjesëmarrës të cilët u përcollën për një mesatare prej 6.5 vitesh pas trajtimit me kirurgji dhe kimioterapi.

Pjesëmarrësit që konsumuan të paktën dy porcione 28 gramëshe me arrore çdo javë e kishin një përmirësim prej 42 për qind në mbijetesë pa sëmundje dhe një përmirësim prej 57 për qind në mbijetesën e përgjithshme, raportojnë studiuesit.

Përveç kësaj, mbijetesa pa sëmundje u rrit me 46 për qind në mesin e nëngrupit të konsumuesve të arrave, të cilët hanin fruta arrore drusore dhe jo kikirikë. Arroret drusore përfshijnë bajamet, arrat, lajthitë, shqemet, dhe arrat amerikane. Kikiriki futet në familjen e bishtajoreve.

Në studimet e mëparshme u konstatua se arroret e reduktojnë rezistencën ndaj insulinës, e cila shpesh është një paraardhëse e diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve të ngjashme.

"Këto studime e mbështesin hipotezën se sjelljet që ju bëjnë më pak rezistuese ndaj insulinës, duke përfshirë ngrënien e arroreve, duket se e përmirësojnë prognozën në kancerin e zorrës së trashë", tha Fuchs. "Sidoqoftë, nuk e dimë ende saktësisht për çfarë janë arroret aq pozitive."

Fuchs vuri në dukje se frutat arrore gjithashtu mund ta plotësojnë urinë në mënyrë më efektive sesa ushqimet e tjera të pashëndetshme. 28 gramë apo rreth 24 bajame janë rreth 200 kalori, duke përfshirë 14 gramë yndyrë.

"Njerëzit më pyesin nëse rritja e konsumit të arroreve do të çojë në obesitet, gjë që çon në prognoza më të këqija", tha Fuchs. "Por ajo që është me të vërtetë interesante është se në studimet tona, dhe në të gjithë literaturën shkencore në përgjithësi, konsumuesit e rregullt të arroreve kanë tendencë të jenë më të dobët."

Në një analizë të mëhershme të dietës në të njëjtin grup të njerëzve, studiuesit e gjetën një lidhje të rëndësishme mes konsumit të kafesë dhe reduktimit të përsëritjes dhe vdekjes nga kanceri i zorrës së trashë.

"Fillimisht dhe ajo që është më kryesorja, po flas për shmangien e obesitetit, duke ushtruar rregullisht dhe duke qëndruar larg një ushqyerje me shumë karbohidrate", tha ai. "Pastaj flasim për gjërat si kafeja dhe arroret. Nëse ju pëlqen kafeja ose arroret, konsumojini ato, dhe nëse jo, atëherë ka shumë hapa të tjerë të dobishëm që mund t’i ndërmerrni".

Fuchs tha se konsumimi i arroreve mund të ketë po aq ndikim sa edhe ilaçet.

"Në përgjithësi, ne po punojmë për ta aplikuar të njëjtën shkencë rigoroze në kuptimin e dietës dhe stilit të jetesës në popullatën e pacientëve me kancer të zorrës së trashë të cilën e aplikojmë për t’i përcaktuar ilaçet e reja", tha Fuchs.