Lifestyle

Aktiviteti i lehtë fizik mund ta ulë rrezikun e vdekjes tek meshkujt e moshuar

Meshkujt e moshuar, të cilët marrin pjesë në ushtrime të moderuara e fizike, kanë një rrezik më të ulët të vdekjes, sipas hulumtuesve në Britani.

Vetëm 150 minuta aktivitete javore e bëjnë një ndryshim tek meshkujt në mes të moshës 40 dhe 59-vjeçare, konkluduan hulumtuesit në katër spitale dhe universitete në një artikull të publikuar të hënën në British Journal of Sports Medicine, transmeton koha.net.

"Rezultatet sugjerojnë se të gjitha aktivitetet, sado modeste të jenë, janë të dobishme", shkruajnë hulumtuesit. "Zbulimi se aktiviteti fizik i intensitetit të ulët, i cili është i lidhur me rrezikun më të ulët të vdekshmërisë, është veçanërisht i rëndësishëm tek meshkujt e moshuar, pasi që shumica e aktivitetit të tyre të përditshëm fizik është me intensitet të lehtë.

"Për më tepër, modeli i akumulimit të aktivitetit fizik nuk i ndryshoi lidhjet me vdekshmërinë, duke sugjeruar se do të ishte e dobishme të inkurajoheshin meshkujt e moshuar që të jenë aktivë pavarësisht periudhave të shkurtra".

Udhëzimet e ushtrimeve aktuale sugjerojnë të paktën 150 minuta aktivitet të moderuar dhe të fuqishëm në periudhat që zgjasin 10 ose më shumë minuta. Hulumtuesit përcaktuan se kohëzgjatja nuk është e domosdoshme.

Për studimin, hulumtuesit i analizuan të dhënat nga 7,735 pjesëmarrës nga 24 qytete britanike të rekrutuar fillimisht nga viti 1978-80, të cilët ishin midis moshave 40 dhe 59 vjeç. Nga 2010-12, 3,137 të mbijetuar iu nënshtruan një ekzaminimi fizik dhe u pyetën për mënyrën e tyre të jetesës, modelet e gjumit dhe diagnozat e sëmundjeve të zemrës.

Nga pjesëmarrësit fillestarë, 1,655 e bartën një akselerometer gjatë orëve të zgjimit për shtatë ditë, dhe hulumtuesit pastaj e monitoruan shëndetin e tyre deri në qershor të vitit 2016 ose deri në vdekje, cilado që erdhi e para. Aktiviteti i lehtë përfshinte kopshtari të lehtë ose nxjerrjen e qenit për shëtitje.

Analiza përfundimtare u bazua në 1,181 meshkuj, me një moshë mesatare prej 78 vjeç, të cilët e bartën pajisjen gjatë gjithë kohës dhe nuk kishin sëmundje para-ekzistuese të zemrës.

Gjatë pesë viteve, 194 prej meshkujve vdiqën.

Në të dhënat çdo 30 minuta shtesë të ushtrimit të intensitetit të lehtë çoi në një reduktim prej 17 për qind në rrezikun e vdekjes. Mesatarisht, ulja e rrezikut të vdekjes ishte rreth 33 për qind, transmeton koha.net.

Me periudha të shkurtra sporadike të aktivitetit të moderuar dhe të fuqishëm, pati një rrezik 41 për qind më të ulët të vdekjes. Dhe seancat që zgjasin 10 ose më shumë minuta kishte një rrezik më të ulët prej 42 për qind.

"Duke e pasur parasysh rënien e shpejtë të aktivitetit fizik me moshën në mesin e popullatave të moshuara, inkurajimi i aktiviteteve qoftë edhe më të moderuara apo lehta mund të ofrojë përfitime në jetëgjatësi", shkruajnë hulumtuesit.

Hulumtuesit sugjeruan përdorimin e një mostre më të madhe dhe përfshirjen e femrave. Hulumtuesit gjithashtu thonë se gjetjet e studimit të tanishëm mund të përdoren për t’i rivlerësuar udhëzimet e aktivitetit fizik, duke i bërë ato më të arritshme për të rriturit e moshuar dhe për të bërë më shumë për t’i inkurajuar të rriturit e moshuar që të angazhohen në aktivitet.