Vendosja e vetes në pozitën e tjetrit është “ilaçi” më i mirë kundër paragjykimit

Vendosja e vetes në pozitën e tjetrit është “ilaçi” më i mirë kundër paragjykimit

14 korrik 2018 09:11

Kjo është një temë e cila definohet me vështirësi dhe edhe më vështirë konceptohet si objekt i një studimi, për shkak të gërshetimit me tipare të tjera si inteligjenca emocionale ose mirësjellja. Sipas disa teorive, është afërsisht si "ta vendosësh veten në pozitën e tjetrit".

Profesori i edukimit José Álvarez Luis Castillo nga Universiteti i Cordovës e definon empatinë si "aftësi për t’i parë gjërat nga perspektiva e një personi tjetër nga një këndvështrim kognitiv dhe emocional".

Kjo do të thotë t’i imagjinoni dhe kuptoni besimet dhe mendimet e njerëzve të tjerë dhe t’i përjetoni ndjenjat dhe emocionet e tyre, ta kuptoni dhe ndieni botën nëpërmjet syve të tyre.

Në mënyrë të veçantë, ky grup e ka shqyrtuar sjelljen empatike dhe ka tentuar ta zbulojë ndikimin dhe lidhjen që mund të ekzistojë midis empatisë dhe zhvillimit të paragjykimeve. Sipas rezultateve të hulumtimit, empatia nuk ushtron efekte të drejtpërdrejta në paragjykime, transmeton Koha.net.

Sidoqoftë, ajo ka ndikim të tërthortë nëpërmjet personalitetit dhe qëndrimeve, veçanërisht përmes të qenit të hapur ndaj përvojës dhe asaj që njihet si "autoritarizëm i krahut të djathtë" në literaturën shkencore, një qëndrim ky që lidhet me mbrojtjen e stabilitetit shoqëror dhe vlerat që njeriu i percepton si karakteristikë të kulturës së tij/saj.

Prandaj, nëse një person ka shumë pak empati, ekziston një mundësi e caktuar që ai/ajo do të ketë rezultate të larta në autoritarizmin e krahut të djathtë dhe në mënyrë indirekte do të ishte më i ndjeshëm të tregojë paragjykime dhe ndoshta edhe të zhvillojë sjellje diskriminuese ndaj grupeve të caktuara.

Siç shpjegon prof. Álvarez, baza për hulumtimin e tij ishte një model i dyfishtë i mirë-përcaktuar për parashikimin e paragjykimit, i zhvilluar nga John Duckitt, profesor emeritus në Universitetin e Aucklandit dhe ekspert për psikologjinë sociale. Ky sistem është në gjendje t’i parashikojë paragjykimet që një person mund t’i zhvillojë duke i marrë parasysh tiparet e personalitetit si të qenit të hapur ndaj përvojës dhe mirëdashjes, si dhe dy qëndrime ideologjike, autoritarizmin e sipërpërmendur të krahut të djathtë dhe "orientimin social dominues", një koncept ky që i referohet mbrojtjes së dallimeve mes klasave dhe kulturave, dhe besimit se një shoqëri hierarkike është e preferueshme në krahasim me shoqërinë horizontale.

Kështu, ekipi hulumtues i Universitetit të Cordovës e përdori këtë model i cili fillimisht i analizoi tiparet e personalitetit, pikëpamjet botërore dhe qëndrimet, dhe e përfshinë empatinë për të vëzhguar se si sillet në kuptim të parashikimit të paragjykimeve kur përfshihet një gamë e gjerë e variablave, transmeton Koha.net. Gjatë gjithë studimit u morën të dhëna nga mbi 250 të rinj me një dizajn të tërthortë duke përdorur instrumente vetë-raportuese, duke çuar në rezultatet e marra nëpërmjet analizës së ekuacionit strukturor.

Profesori Álvarez është i sigurt se një person empatik ka më pak të ngjarë të zhvillojë paragjykime. Siç thekson ai, studimi demonstron se "empatia është ende e rëndësishme edhe kur futet në modele komplekse dhe vazhdon të jetë një ndryshore e fortë kur bëhet fjalë për shpjegimin se pse një person e zhvillon një qëndrim negativ ndaj grupeve të caktuara," prandaj "në universitete duhet të vazhdojmë ta promovojmë atë, sidomos pjesën e saj që mund të mësohet".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme