Një eksperiment i ri synon ta shërojë plakjen njëherë e përgjithmonë

Një eksperiment i ri synon ta shërojë plakjen njëherë e përgjithmonë

11 korrik 2018 17:44

Përshpejtues i njohur i biznesit Y Combinator e ka lansuar YC Bio, një linjë specifike financimi për kompanitë bioteknike. Fokusi fillestar do të jenë kompanitë që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të jetojnë jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.

Përshpejtuesi i biznesit Y Combinator është i njohur për vendimmarrje intriguese investuese dhe shpesh të mençur. Ata ofruan mbështetje të hershme për kompanitë tashmë të njohura, si Airbnb dhe Coinbase, dhe gjithashtu kanë mbështetur sipërmarrje të vogla eksperimentale të përqendruara në çdo gjë, nga shkenca e materialeve deri tek materialet e bartshme për lopët. Më 11 janar, Sam Altman, presidenti i Y Combinator, e paralajmëroi YC Bio, një eksperiment i ri i cili do t’i financojë kompanitë e shkencës së jetës, transmeton koha.net.

Për shkak të madhësisë së fushës së biologjisë, Altman shpjegoi se Y Combinator mendonte se kishte më shumë kuptim të përqendroheshin në një fushë të caktuar njëkohësisht. Ai tha se kompania gjithashtu ka konstatuar se "kompanitë që punojnë në fusha të ngjashme marrin shumë vlerë ngaqë janë pranë njëra-tjetrës".

Fusha e parë e fokusit për YC Bio është "mirëqenia shëndetësore" dhe sëmundjet e lidhura me moshën. Mirëqenia shëndetësore fokusohet në idenë se mjekësia nuk duhet vetëm t’i ndihmojë njerëzit të jetojnë më gjatë, por t’ua mundësojë atyre njerëzve të gëzojnë shëndet të mirë dhe cilësi të lartë të jetës gjatë viteve të tyre.

"Mendojmë se ekziston një mundësi enorme për t’i ndihmuar njerëzit të jetojnë më të shëndetshëm për më shumë kohë dhe se kjo mund të jetë një nga mënyrat më të mira për ta trajtuar krizën tonë shëndetësore", shkroi Altman në artikullin e tij të blogut duke e paralajmëruar nismën në fjalë.

Ashtu si linja e saj YC AI, e cila i financon ekskluzivisht kompanitë që përqendrohen në inteligjencën artificiale (AI), kompanitë që marrin pjesë në YC Bio fillimisht do të kalojnë nëpër grupin e rregullt të përshpejtuesit përpara se ta marrin ofertën e tyre.

Në vend të marrëveshjes standarde të YC prej 120,000 dollarësh në shkëmbim të pronësisë prej 7 për qind, kompanitë e YC Bio do ta pranojnë një ofertë prej midis 500,000 dhe 1 milion dollarësh për një pronësisë ndërmjet 10 dhe 20 për qind.

Përveç këtij financimi “fillestar”, kompanitë e YC Bio do të kenë edhe hapësirë të lirë laboratorike dhe marrëveshje të tjera të veçanta, si p.sh. qasja në një "gamë të gjerë ekspertësh", sipas Altman.

Në vitin 2014, Y Combinator e financoi kompaninë e tyre e parë të bioteknologjisë, Ginkgo Bioworks, dhe kjo kompani kohët e fundit i mblodhi 275 milionë dollarë për ta ndërtuar objektin e vet të ri të prodhimit, duke e sjellë vlerën e totale në 1 miliard dollarë.

Ky sukses i kaluar është veçanërisht inkurajues, duke qenë se një nga pionierët në hulumtimin anti-plakje kohët e fundit tha se, ndërkohë që fusha është e mbushur me ide premtuese, nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për t’i lehtësuar hulumtimet solide. Ndoshta YC Bio do të jetë në gjendje ta mbushë këtë zbrazëtirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme