Lifestyle

Fëmijët bombardohen me reklama për ushqim të pashëndetshëm

Sipas një studimi të kryer në Australi, fëmijët po ekspozohen dy herë më shumë ndaj reklamave për ushqim të pashëndetshëm sesa reklamat e ushqimit të shëndetshëm në TV.

Hulumtuesit gjithashtu zbuluan se reklamat për ushqime të pashëndetshme ishin më të përhapura kur fëmijët e shikonin televizorin në krahasim me herët e tjera të transmetimit. Hulumtimi nga Universiteti i Adelaide u publikua të martën në Journal of Pediatrics and Child Health dhe u sponsorizua nga Heart Foundation, transmeton koha.net.

Ata e ekzaminuan një vit të transmetimit televiziv dhe reklamave nga një rrjet televiziv falas në Australinë e Jugut në vitin 2016. Kjo i përfshiu 30,000 orë program televiziv që përmbante më shumë se 500 orë reklama ushqimore - 100,000 reklama ushqimore. Artikujt më të shpeshtë ishin ushqimet e lehta (snacks), mishrat e grira dhe të rrahura, ushqimet e shpejta dhe pijet me sheqer.

Ata zbuluan se fëmijët do t’i shikonin më shumë se 800 reklama të ushqimit të pashëndetshëm në vit nëse i shikonin 80 minuta televizion në ditë.

"Këto janë të dhënat më solide që i kemi parë kudo," tha dr. Lisa Smithers, profesoreshë e asociuar në Adelaide në një njoftim për shtyp. "Ky është grupi më i madh i të dhënave i përdorur ndonjëherë nga hulumtuesit shëndetësorë për shqyrtimin e reklamave ushqimore në Australi dhe ndoshta në botë. Shumica e hulumtimeve në këtë fushë bazohen vetëm në disa ditë të të dhënave dhe nuk ka studime australiane që e marrin parasysh sezonalitetin".

Studiuesit zbuluan se reklamimi i ushqimit të pashëndetshëm ishte 2.3 herë më i shpeshtë çdo orë se sa reklamimi i ushqimit të shëndetshëm gjatë kohës së shikueshmërisë më të lartë prej fëmijëve.

Reklamimi varioi gjatë kohëve të vitit - 71 për qind e të gjitha reklamave ushqimore në janar gjatë pushimeve verore kur fëmijët në Australi nuk e vijojnë mësimin krahasuar me 41 për qind të të gjitha reklamave ushqimore në gusht.

Në Shtetet e Bashkuara, reklamat e ushqimit e përbëjnë gati gjysmën e të gjitha mesazheve komerciale në programet e fëmijëve, sipas Instituteve Kombëtare të Shëndetit. Një orë mesatare i përfshin 11 reklama ushqimore që e përbëjnë 4 minuta dhe 25 sekonda të kohës totale të reklamimit.

Iniciativa për Reklamimin e Ushqimit dhe Pijeve të Fëmijëve është një program vullnetar i vetë-rregullimit i administruar nga Better Business Bureau, me standarde të forta për reklamimin e ushqimit për fëmijët. Ata kanë përfshirë që pjesëmarrësve të iniciativës t’u kërkohet që të reklamojnë për fëmijët nën 12 vjeç vetëm ushqime që i plotësojnë kriteret uniforme të ushqyerjes në media.

Kompanitë përfshijnë McDonald's, Burger King, Coca-Cola, Kellogg, Post, Nestle, Unilever, Hershey, Campbell’s, KraftHeinz, Mars, General Mills.

Në Australi, reklamimi gjatë programeve televizive të fëmijëve mbulohet nga Standardet e Televizionit të Fëmijëve.

"Problemet në lidhje me dietën janë shkaku kryesor i sëmundjeve në Australi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka arritur në përfundimin se marketingu i ushqimit ndikon në llojet e ushqimeve që fëmijët preferojnë t’i hanë, të cilat ua kërkojnë prindërve dhe në fund edhe i konsumojnë", tha Smithers.

Ajo shtoi: "Do të doja që rezultatet e hulumtimit tonë ta luajnë një rol në mbrojtjen e fëmijëve nga efektet e reklamimit të ushqimit të pashëndetshëm."

Norvegjia i ndalon reklamat për ushqim të pashëndetshëm ndërsa Franca kërkon mesazhe të ngrënies së shëndetshme kur ushqimet e pashëndetshme reklamohen, sipas studiuesve.

{gallery}