Lifestyle

Pemët dhe perimet e freskëta nuk janë gjithmonë më të shëndetshme se të ngrirat

Sipas rezultateve të studimit të ri, të publikuara muajin e kaluar në revistën Journal of Food Composition and Analysis, pemët dhe perimet e ngrira në shumë raste janë më të ushqyeshme, sepse pemët e freskëta i humbin vitaminat kur qëndrojnë më gjatë në frigorifer.

Për nevojat e këtij studimi autorët përcollën se sa shpesh njerëzit blejnë dhe hanë pemë dhe perime dhe për më shumë se dy vjet e matën përmbajtjen ushqyese të tre llojeve të produkteve: të freskëta, të ngrira dhe të ruajtura në temperatura të freskëta (pemë dhe perime të freskëta që janë lënë në frigorifer për disa ditë). Hulumtimet janë bërë me brokoli, lulelakër, misër, bishtaja, bizele, spinaq, boronica dhe luleshtrydhe.

Hulumtuesit i krahasuan përqendrimet e tre ushqyesve kyç në pemë dhe perime: vitaminën C, vitaminën A dhe folatin, transmeton Koha.net. Këta ushqyes janë të tretshëm në ujë dhe të ndjeshëm ndaj nxehtësisë prandaj ishte e lehtë të studiohen. Në teste pemët dhe perimet e ngrira i tejkaluan pemët dhe perimet e ruajtura të freskëta në temperatura normale në frigorifer.

Rezultatet e këtij studimi nuk e mbështesin besimin e etabluar të konsumatorëve se ushqimi i freskët e ka një vlerë më të lartë ushqyese se ai i ngrirë, shkruajnë autorët.

Produktet e freskëta zakonisht përmbajnë më së shumti ushqyes kur vilen apo korren, megjithatë, këta ushqyes fillojnë të degradohen sapo pemët ose perimet vilen, paketohen dhe plasohen në treg. Kur i blejmë dhe i sjellim në shtëpi, shumë prej këtyre ushqyesve bien në një nivel më poshtë se niveli që e kanë produktet e ngrira të cilat ngrihen menjëherë pas vjeljes.

Megjithatë, në shumicën e rasteve përmbajtja ushqimore e produkteve të freskëta dhe të ngrira është aq e ngjashme saqë nuk do të kishte ndonjë ndryshim të rëndësishëm për shëndetin, sepse më e rëndësishme është sasia e konsumuar sesa forma.