Testi i thjeshtë i urinës mund të matë se sa është plakur trupi ynë

Testi i thjeshtë i urinës mund të matë se sa është plakur trupi ynë

22 qershor 2018 09:09

Studiuesit zbulojnë se një substancë e tregon dëmtimin oksidativ që rritet në urinë kur njerëzit plaken. Studimi, i publikuar së fundi në revistën me qasje të hapur Frontiers in Aging Neuroscience, e përshkruan gjithashtu një mënyrë për t’i matur lehtësisht nivelet e këtij markeri në mostrat e urinës njerëzore.

Markeri i ri potencialisht e ofron një metodë për të matur se sa është plakur trupi ynë – mosha jonë biologjike dhe jo kronologjike. Kjo mund të ndihmojë në parashikimin e rrezikut tonë për të zhvilluar sëmundje të lidhura me moshën, madje edhe rrezikun tonë prej vdekjes, transmeton koha.net.

Derisa të gjithë të lindurit në të njëjtin vit e kanë të njëjtën moshë kronologjike, trupat e njerëzve të ndryshëm plaken në ritme të ndryshme. Kjo do të thotë se, edhe pse rreziku i shumë sëmundjeve rritet me moshën, lidhja midis moshës sonë me kalimin e viteve dhe shëndetit dhe jetëgjatësisë tonë është relativisht e lirë. Shumë njerëz gëzojnë jetë të gjatë, relativisht pa sëmundje, ndërsa të tjerët vuajnë nga sëmundje kronike dhe vdekje të parakohshme.

Atëherë, nëse mosha jonë ndër vite nuk është treguesi më i besueshëm i plakjes në trupin tonë, çfarë është?

Disa studiues e konsiderojnë plakjen normale si një sëmundje, ku qelizat tona grumbullojnë dëmtime me kalimin e kohës. Shkalla e këtij dëmtimi qelizor mund të ndryshojë nga personi në person dhe mund të diktohet nga gjenetika, stili i jetesës dhe mjedisi jetësor. Ky dëmtim qelizor mund të jetë një tregues më i saktë i moshës tonë biologjike sesa numri i viteve që kur kemi lindur.

Gjetja e një mënyre për ta matur moshën biologjike mund të ndihmojë në parashikimin e rrezikut të zhvillimit të sëmundjes së lidhur me moshën dhe madje edhe të vdekjes. Ne gjithashtu duhet të jemi në gjendje ta masim moshën biologjike për të ditur nëse trajtimet për ta ngadalësuar plakjen - të cilat mund të jenë të mundshme në të ardhmen - janë efektive, transmeton koha.net.

Një mekanizëm për të cilin mendohet se bazohet në plakjen biologjike e përfshinë një molekulë vitale për mbijetesën tonë - oksigjenin - në atë që quhet teoria e radikaleve të lira të plakjes.

“Nënproduktet e oksigjenit të prodhuara gjatë metabolizmit normal mund të shkaktojnë dëmtime oksidative të biomolekulave në qeliza, si ADN-ja dhe ARN-ja”, shpjegon Jian-Ping Cai, studiues ky i përfshirë në studim. “Derisa plakemi, ne e vuajmë një dëmtim oksidativ në rritje, dhe kështu nivelet e markerëve oksidues rriten në trupin tonë”.

Një marker i tillë, me emërtimin dallues 8-oxo-7,8-dihidroguanozinë - ose 8-oxoGsn shkurtimisht - rezulton nga oksidimi i një molekule vendimtare në qelizat tona të quajtur ARN. Në studimet e mëparshme në kafshë, Cai dhe kolegët zbuluan se nivelet 8-oxoGsn rriten në urinë me kalimin e moshës.

Për të parë nëse kjo është e vërtetë edhe për njerëzit, hulumtuesit e kanë matur 8-oxoGsn në mostrat e urinës nga 1,228 banorë kinezë të moshës 2-90 vjeç, duke e përdorur një teknikë të shpejtë të analizës të quajtur kromatografi me likuide me performancë ultra të lartë.

"E zbuluam një rritje të varur nga mosha në 8-oxoGsn urinar në pjesëmarrësit 21 vjeç dhe më të vjetër". tha Cai. "Prandaj, 8-oxoGsn urinar është premtues si një marker i ri i plakjes".

Është interesante se nivelet e 8-oxoGsn ishin pothuajse të njëjta në mesin e meshkujve dhe femrave, përveç në femrat post-menopauzale, të cilat treguan nivele më të larta. Kjo mund të jetë shkaktuar nga ulja e niveleve të estrogjenit që ndodh gjatë menopauzës, pasi estrogjeni është i njohur të ketë efekte antioksidantive.

Teknika e analizës së shpejtë e ekipit mund të jetë e dobishme për studimet e plakjes në shkallë të gjerë, pasi mund t’i procesojë mostrat e urinës deri në 10 pjesëmarrës në orë.

"8-oxoGsn urinar mund ta pasqyrojë gjendjen reale të trupit tonë më mirë se mosha jonë kronologjike, dhe mund të na ndihmojë ta parashikojmë rrezikun e sëmundjeve të lidhura me moshën", konkludon Cai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme