Lifestyle

Stili i shëndetshëm i jetesës po aq efektiv në uljen e shtypjes së gjakut sa edhe ilaçet

Descriptive Text

Duke e modifikuar stilin e tyre të jetesës, duke e përfshirë ushqyerjen dhe ushtrimet, njerëzit mund ta ulin presionin e gjakut në mënyrë po aq efektive sa edhe me ilaçe, thuhet në një studim.

Hulumtuesit i studiuan efektet e adaptimit të programit Newstart Lifestyle, i cili e përfshin një dietë vegane, shëtitje të përditshme në hapësira të jashtme, sasi të konsiderueshme të ujit, gjumë të rregullt ditor dhe aktivitete shpirtërore opsionale, transmeton Koha.net. Gjetjet e studimit do të prezantohen të hënën në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqyerje, Nutrition 2018, në Boston.

Ideja e ndryshimit të dietës si pjesë e trajtimit për shtypje të lartë të gjakut nuk është e re - shumica e njerëzve me hipertension, në mesin e çrregullimeve të tjera kardiovaskulare, këshillohen ta ndryshojnë dietën e tyre dhe shpesh edhe të bëjnë ushtrime.

Një studim i publikuar në Journal of the American College of Cardiology në vitin 2017 gjithashtu zbuloi se dieta me nivel të ulët të kripës, e cila është shëndetshme për zemrën, mund të jetë po aq e efektshme sa edhe ilaçet. Dieta për këtë studim, e quajtur Qasjet Dietore për ta Ndaluar Hipertensionin, ose DASH (Dietary Approaches to Stop Hypertension), është miratuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës.

Hulumtimi i fundit ka përfshirë programin Newstart për ndryshime të stilit të jetesës.

“Programi Newstart Lifestyle vepron shpejt, është i lirë dhe e përdor një dietë të shijshme e cila lejon sasi të moderuara të kripës dhe yndyrave të shëndetshme nga arroret, ullinjtë, avokadot dhe vajrat e caktuara bimore”, tha në një njoftim për shtyp M. Alfredo Mejia, profesor i asociuar në Universitetin Andrews në Berrien Springs, Mich..

Në faqen e vet, Newstart pohon se gjysma e të gjithë personave me hipertension nuk marrin më ilaçe dhe kthehen në shtypje normale të gjakut. Gjithashtu, 50 për qind e diabetikëve të tipit 2, të cilët e adoptojnë sistemin nuk përdorin më insulinë dhe medikamente brenda vetëm 18 ditëve.

Faqja e internetit përmban dëshmi nga njerëzit që i kanë larguar medikamentet nga përdorimi.

Hulumtimi i studiuesve i konfirmoi rezultatet. Ata zbuluan se gjysma e njerëzve në studim arritën shtypje normale të gjakut --- nivel të rekomanduar prej 120 mmHg - brenda dy javëve dhe i shmangën efektet anësore dhe kostot e medikamenteve për presion të gjakut, pavarësisht uljes së presionit të tyre të gjakut për 14 për qind në mesatare.

Studiuesit i analizuan të dhënat nga 117 persona me shtypje të lartë të cilët kishin marrë pjesë në programin Newstart Lifestyle në Institutin Weimer në Kaliforni për 16 ditë në vitin 2014. Mosha mesatare e tyre ishte 66.5 vjeç me një indeks të masës trupore prej 31.6 dhe presion të gjakut prej 138 mmHg .

Presioni i gjakut ishte më i ulët tek personat që i kanë disa çrregullime mjekësore, por që janë përndryshe të shëndetshëm – femrat dhe njerëzit me diabet, të cilët janë obesë ose kanë nivele të larta kolesterine.

Hulumtuesit planifikojnë t’i zgjerojnë studimet e programit në më shumë njerëz dhe për një periudhë më të gjatë kohore, përcjell Koha.net. Ata gjithashtu duan të shohin nëse dieta i përmirëson problemet e tjera shëndetësore, përfshirë diabetin, sëmundjen kardiovaskulare dhe obesitetin.

Klinika Mayo e ofron një sërë ndryshimesh të stilit të jetesës që mund ta ulin presionin e gjakut dhe ta reduktojnë rrezikun prej sëmundjeve të zemrës, ndryshime këto të cilat u ngjajnë atyre që përmenden në studimin e ri, si dhe në hulumtimet paraprake për presionin e lartë të gjakut dhe për dietë.

Ndryshimet e vërejtura nga hulumtuesit në Mayo përfshijnë ushtrime të rregullta, dietë të shëndetshme, kufizim të alkoolit, ndalimin e pirjes së duhanit, reduktimin e kafeinës dhe natriumit dhe reduktimin e stresit.

“Nëse e kontrolloni me sukses shtypjen e gjakut me një stil të shëndetshëm jetese, ju mund ta shmangni, shtyni ose zvogëloni nevojën për ilaçe,” pohon organizata në rekomandimet e saj.