Sot 8 vjet, me 10 mijë bitcoinë u blenë 2 pica Foto: Ilustrim

Sot 8 vjet, me 10 mijë bitcoinë u blenë 2 pica

23 maj 2018 10:54

Komuniteti që zotëron apo përkrah kriptovalutat ka festuar përvjetorin e 8-të të transaksionit të parë në botën reale ku bitcoini u përdor si një valutë për të paguar për diçka.

Më 17 maj 2010, një programues kompjuteri, Laszlo Hanyecz, postoi në internet një kërkesë për të blerë një pica me bitcoin. Disa ditë më vonë, kërkesa e tij pati një përgjigje të suksesshme. Ndaj më 22 maj 2010, Hayecz arriti të blinte dy pica për 10 mijë bitcoin nga Jeremy Sturdivant.

Sot vlera e 10 mijë monedhave të tilla llogaritet në rreth 80 milionë dollarë amerikanë, pra rreth 6.5 milionë pica. Nëse do të vendosnim kutitë e picave njëra mbi tjetrën për të arritur në këtë vlerë, atëherë ato do të ngjiteshin deri në hapësirë, transmeton “ScanTv”.

Teksa valuta e bitcoinit është rritur me kalimin e viteve, zhvilluesi që bëri blerjen e parë është kthyer në një legjendë në hapësirën e kriptovalutave. Më herët gjatë vitit, ai bëri të njëjtën gjë, por kësaj radhe duke përdorur Lighting Network, një teknologji që ecën paralel me blockchain të Bitcoin dhe që synon të shpejtojë transaksionet.

“Dita e Picës Bitcoin” gjithashtu shërben si kujtesë mbi faktin se sa shumë është rritur vlera e valutës, duke kapur edhe një çmim rekord prej 20 mijë dollarësh vitin e kaluar. Kriptovaluta më e madhe vetëm para 8 vitesh vlente vetëm disa qindarka.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme