Kuriozitet

Thyhet xhami i aeroplanit, rripi i sigurisë e shpëton pilotin

Një aeroplan i kompanisë Sichuan Airlines për Tibet është detyruar të bëjë ulje emergjente pasi xhami i kabinës ishte thyer dhe bashkë-piloti pjesërisht kishte dalë jashtë aeroplanit shkaku i presionit të ajrit.

Fluturimi 8633 u nis nga Chongqing në orën 6:26 të mëngjesit dhe është dashur të ulej në orën 09:05 në Lhasa, kryeqytetin e Tibetit.

Gjatë fluturimit xhami ishte thyer duke lëshuar një zë të madh, ka thënë piloti Liu Chuanjian, transmeton Koha.net.

“Kur shikova kah krahu im, gjysma e trupit të asistentit tim kishte dalë jashtë dritares. Fatmirësisht kishte rripin e sigurisë”, ka thënë Liu.

Aeroplani bëri uljen emergjente në qytetin kinez Chendu.

Kompania Sichuan më vonë njoftoi se 29 prej 119 pasagjerëve ishin dërguar në spital për trajtime mjekësore. Një anëtar i kabinës ka pësuar lëndime në dorë.