Kuriozitet

60 deputetë brazilianë tani edhe me mbiemrin e ish-presidentit të arrestuar, Lula

Brazilia, 12 prill– ”Gjashtëdhjetë Lula në Parlamentin e Brazilit. Ky është titulli i një deklarate të Partisë së Punëtorëve (PT, e majtë) të Brazilit, e cila njoftoi të mërkurën se të gjithë këta deputetë do t’i shtonin mbiemrin ”Lula” mbiemrit të tyre, në formë proteste kundër lënies në burg të ish-presidentit brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva.

Kjo iniciativë e pazakontë ngjalli një kundërsulm nga ana e deputetëve të së djathtës.

”Kërkoj që emri i parlamentarit, Paulo Pimenta të zëvendësohet nga Paulo Lula Pimenta u shpreh në këtë mënyrë lideri i PT-së në Dhomën e Ulët”, në një dokument zyrtar të konsultuar nga media.

”Kërkesa të tjera të këtij formati u dërguan në asambletë lokale, përfshirë këshillat bashkiakë”, sqaroi një zëdhënës i kësaj partie të themeluar nga Lula në vitet ’80.

”Kjo është një mënyrë për të shfaqur solidaritetin tonë”, shtoi zëdhënësi, duke theksuar se senatorja Gleisi Hoffmann, kryetarja e partisë kishte kërkuar gjithashtu që ”Lula” t’i bashkëngjitej gjithashtu mbiemrit të saj.