Kuriozitet

Vdekja e Gagarinit sekret shtetëror edhe pas gjysmë shekulli

Më 27 mars 1968, sipas versionit zyrtar, Juri Gagarin gjeti vdekjen pas rrëzimit të avionit të tij, pasi kërkoi të shmangte një balonë me ajër, por ende 50 vjet më vonë, zhdukja e njeriut të parë që shkoi në hapësirë mbetet një sekret shtetëror, i rrethuar nga misteri.

”Atë mëngjes, Juri Gagarin përgatitet për një fluturim rutinë trajnimi me avionin tip Mig-15 në aeroportin ‘Çkalovski’, pranë Moskës”, kujton kolegu i tij i asaj kohe, kozmonauti, Vladimir Aksionov.

“Me Jurin, konsultoheshim me të njëjtët mjekë, dëgjonim të njëjtat parashikime të motit, sepse fluturimi im ishte parashikuar një orë pas fluturimit të tij”, tregon ai, transmeton ATSH shkrimin e AFP-së.

Por, fluturimi i Aksionovit, 34 vjeç në atë kohë, u anulua.

Pasi kishin njoftuar rikthimin e tyre në bazë, as Gagarini, as bashkëpiloti i tij, Vladimir Seriogin, 45 vjeç, nuk u përgjigjeshin thirrjeve në radio.

Helikopterët e nisur për kërkimin e tyre njoftuan se kishin gjetur pjesë nga avioni, 65 kilometra nga aeroporti.

Trupi i Juri Gagarinit u gjet të nesërmen.

Gagarini vdiq!

Sergei Kravçinski, 74 vjeç, dhe në atë kohë prodhues i aparateve hapësinore, kujtohet për ditën kur mësoi lajmin.

“Ne dëgjuam një ulërimë në korridor ‘Gagarini ka vdekur’. Ishte një tronditje e madh, gratë qanin”, kujton ai.

Për herë të parë në historinë e ish-Bashkimit Sovjetik, një ditë zie kombëtare u vendos për një person që nuk ishte president.

Prodhuesit e dinin që Gagarini kishte hasur tashmë një problem në ulje pak kohë më parë duke zhvilluar trajnime me MiG-ët. Kur komisioni i hetimit nxorri përfundimet, ata ishin të pasigurtë.

Sipas versionit zyrtar, ekuipazhit të avionit i është dashur të kryejë një manovër të papritur për shkak të një ndryshimi në situatën e ajrit, gjë që ka shkaktuar rrëzimin e avionit.

“Raporti nga komisioni zyrtar, rreth 29 volume, nuk u publikua kurrë. Është kjo që ka shtyrë kolegët dhe ekspertët të fillojnë kërkimet e tyre”, tregon Aleksandre Gluçko, historian i sektorit hapësinor sovjetik.

Në vitin 2011, për të festuar 50-vjetorin e fluturimit të parë në hapësirë të Gagarinit, më 12 prill 1961, arkivat e Kremlinit njoftojnë heqjen e perdes për vdekjen e kozmonautit të parë.

Sipas përfundimeve të reja, një prej shkaqeve të mundshme të rrëzimit të avionit mund të ketë qenë prania e një balone me ajër, që Gagarini dhe Seriogini kishin tentuar ta shmangin para se të humbnin kontrollin e aeroplanit.

“Një prej shkaqeve të mundshme! Kjo formulë nuk thotë asgjë! Dhe asnjë dokument nga 29 vëllimet e hetimit nuk është publikuar plotësisht!”, thekson Gluçko.

Për atë, misteri i mbajtur për aksidentin e Gagarine shërbeu për të fshehur dështimet në organizimin dhe mosfunksionimin e sektorit hapësinor sovjetik, që ishte në atë kohë simbol i suksesit të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Në mungesë të së vërtetës zërat janë shtuar dhe vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot”, shton ai.

Versioni i pilotit

“Prindërit e mi më kanë thënë që Gagarini ka vdekur sepse ishte i dehur”, kujton Aleksandre Volodko, polic në Novokuznjeck, Siberi.

Lindur një vit pas vdekjes së Gagarinit, Aleksandre, në vizitë në Muzeun e Pushtimit të Hapësirës në Moskë, do të donte që e vërteta të zbulohej.

Ndryshe nga prindërit e tij, ai ndan një tjetër version për vdekjen e Gagarinit, mbështetur nga kozmonauti, Aleksei Leonov, që e ka përmendur pas rrëzimit të ish-Bashkimit Sovjetik në 1991.

Sipas Leonovit, anëtar i komisionit të hetimit në vitin 1968, një avion tip ”Suhoi”, që nuk duhet të gjendej atje, kaloi trajektoren e MiG-ut të Gagarinit duke kaluar të paktën 20 metra nga avioni i tij.

“Kam parë një dokument të deklasifikuar që konfirmon këtë tezë”, konfirmoi në qershor, Aleksei Leonov, 83 vjeç, për agjencinë publike “Ria Novosti”.

”Komisioni ka fshehur të vërtetën për të mbrojtur pilotin e mbijetuar”, thekson ai duke refuzuar të zbulonte identitetin e tij dhe duke shtuar se bëhet fjalë për një njeri mjaft të njohur, sot i moshuar dhe i sëmurë.

“Nuk është më një sekret, bëhet fjalë për neglizhencë dhe shkelje të rregullave të aviacionit”, shton ai.

”Për aq kohë sa dokumentet zyrtare nuk do të publikohen, ky konfirmim mbetet një hipotezë e thjeshtë”, shpreh me keqardhje historiani Gluçko.