Kuriozitet

BB: 143 milionë migrantë klimatikë deri në 2050

Uashington, 23 mars – Më shumë se 140 milionë persona mund të migrojnë deri në vitin 2050 nga tre rajone të botës në zhvillim për shkak të ndryshimeve klimatike që shkaktojnë rënie të prodhimit bujqësor, mungesë të ujit dhe rritje të nivelit të deteve, paralajmëroi Banka Botërore.

Në një raport të publikuar sot, BB-ja e ka cilësuar në 86 milionë migrantë klimatikë numrin potencial të personave që do të vijnë nga Afrika Subsahariane, 40 milionë nga Azia e Jugut dhe 17 milionë nga Amerika Latine, nëse nuk bëhet asgjë deri në vitin 2050, transmetonte ATSH raportimin e AFP-së.

“Çdo ditë, ndryshimi klimatik po bëhet një kërcënim ekonomik, social dhe ekzistencial më i fortë”, komentoi Kristalina Georgieva, numri dy i Bankës Botërore.

Ajo thekson gjithashtu se “ndryshimi klimatik është bërë një motor i migracionit duke detyruar individë, familje madje edhe komunitete të tëra të kërkojnë vende më të mira për të jetuar”.