Ndër 20 kompanitë më të mëdha të botës, 9 janë nga fusha digjitale

Ndër 20 kompanitë më të mëdha të botës, 9 janë nga fusha digjitale

22 mars 2018 15:42

Komisioni Europian paraqiti dy drafte të reja për vendosjen e taksave ndaj kompanive digjitale, pasi blloku kërkon të mbledhë para nga një industri që thotë se ofron më pak se sa duhet për arkëtimet publike.

Taksimi do të mbulonte kompanitë që kanë të ardhura vjetore që tejkalojnë 750 milionë euro në të gjithë botën, ku mes të tjerave përfshihen 4 kompani të mëdha amerikane të internetit.

Sipas raportit të publikuar nga BE-ja, ndër 20 kompanitë më të mëdha të botës, 9 janë nga fusha digjitale, transmeton rtk. Propozimi i Komisionit vjen pasi praktikat tradicionale tatimore deri më tani nuk kanë arritur të kapin të ardhurat e biznesit nga një industri ku vlera e shtuar ka tendencë të jetë virtuale, më shumë se sa kompanitë materiale dhe kompanitë digjitale kanë kërkuar të “përfitojnë'.

Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike dhe Monetare Pierre Mosdovici u shpreh në një konferencë për shtyp mbajtur po atë ditë se vendimi për mbledhjen e taksave për kompanitë digjitale kanë disa arsye:

"Ekonomia digjitale është një mundësi e madhe për Europën dhe Europa është një burim i madh i të ardhurave për firmat digjitale, por kjo situatë e favorshme krijon shqetësime ligjore dhe fiskale. Së pari, ky është një problem i BE-së që ka ekzistuar për shumë vite. Europa është tregu kryesor i kompanive digjitale botërore, prandaj është më e prekur nga humbja e të ardhurave. Duke u rritur sektori i digjitalizimit, rritet dhe humbja e të ardhurave nga taksat. Së treti, si Komision Europian, ne duhet të parandalojmë fragmentimin e tregut të brendshëm për shkak të veprimeve të pakoordinuara të taksimit kombëtar, pasi disa shtete anëtare kanë filluar ta bëjnë këtë. Ne duhet të garantojmë siguri ligjore për këto kompani."

Sipas propozimit, vendeve anëtare u mundësohet të tatojnë fitimet e realizuara në territorin e tyre, edhe nëse një kompani nuk ka prani fizike atje. Rregullat e reja do të siguronin që bizneset online të kontribuojnë në financat publike në të njëjtin nivel me atë tradicionale.

Blloku gjithashtu planifikon të propozojë një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më afatgjatë, e cila do të përqendrohet në një seli të përhershme digjitale në një vend anëtar nëse përmbush një nga kriteret: Tejkalon pragun prej 7 milionë euro në të ardhurat vjetore në një vend anëtar, Ka mbi 100,000 përdorues gjatë një viti fiskal, krijohen mbi 3000 kontrata biznesi për shërbime digjitale mes kompanisë dhe përdoruesve të biznesit në një vit fiskal.

Por, propozimi i dytë është më shumë tërheqës. Kompanitë e mëdha digjitale që veprojnë në Bashkimin Europian mund të përballen me një tatim prej 3% mbi të ardhurat e tyre bruto, bazuar në vendndodhjen e përdoruesve të tyre, sipas një projekt-propozimi nga Komisioni Europian. Taksat, të cilat do të ngarkoheshin çdo vit në bazë të të ardhurave bruto, do të ishin në një normë të vetme në të gjithë BE-në prej 3%, sipas draft-propozimit, edhe pse norma gjithashtu mund të ndryshojë në versionin përfundimtar. Projektet e mëparshme parashikojnë normën diku midis 1 për qind dhe 5 për qind. Ndërsa të ardhurat vjetore të tatueshme nga ofrimi i shërbimeve digjitale në BE arrijnë mbi 50 milionë euro.

Në fillim të këtij muaji ShBA-ja shpalli vendosjen e tarifave ndaj importeve të çelikut dhe aluminit. Analistët mendojnë se taksa digjitale e BE-së është një hakmarrje ndaj ShBA-së, por Mosdovici përgënjeshtroi këto thënie.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme