Kuriozitet

Afrika po ndahet në dy pjesë

Afrika lindore po ndahet nga pjesa tjetër e kontinentit në kuadër të një ngjarjeje gjeologjike, e cila për një milion vjet mund ta linte kontinentin pa “bririn” e tij. Megjithatë, kjo dukuri e natyrshme tashmë shkakton probleme.

Procesi gjeologjik në lindje të kontinentit po shtrihet shumë më shpejt sesa që shkencëtarët po supozojnë.

Për këtë arsye, rruga e qarkullimit kenias Mai Mahiu u shkatërrua pasi që nën të u shfaq një thyerje, deklaroi Administrata nacionale keniane për rrugë, transmeton KosovaPress.

Gjeologu David Adede thotë se procesi gjeologjik ndan Afrikën në dy pllaka.

“Kemi konfirmuar se pllaka somaleze po ndahet nga pjesa tjetër e kontinentit me shpejtësi prej 2,5 centimetra në vit. Nëse ky vit vazhdon, pllaka somaleze do të vazhdojë të ndahet nga pllaka nubiane, gjë e cila mund të kërcënojë seriozisht infrastrukturën aktuale dhe sigurinë e banorëve”, tha ai.

Shkencëtarët thonë se janë duke monitoruar fenomenin, për të këshilluar qeveritë në lidhje me vendet më të sigurta për ndërtimin e rrugëve dhe shtëpive.

Ndarja e pllakës somaleze është shkaktuar nga lëvizja e pjesës së mbështjellësit të Tokës, i cili transmeton nxehtësinë nga bërthama e planetit drejt sipërfaqes.