Kuriozitet

Kanadaja heq termet 'baba' dhe 'nënë' në formularët zyrtarë

Descriptive Text

Kanadaja ka vendosur që termet "baba" e "nënë" t’i zëvendësojë me termin "prindërit" në formularët zyrtarë. Ndërsa e ka ndër mend ta heqë edhe korrespondencën zyrtare të përdorimit të termeve “zonjë” e “zotëri”, pos në rastet kur këtë e kërkon vetë personi.

"Qeveria e Kanadasë ka vendosur të vërë gjini neutrale në të gjithë formularët e saj”, ka thënë Mathieu Filion, zëdhënës i Ministrisë së Familjes, transmeton Koha.net.

Ky vendim është marrë pasi që formularët e deritashëm “nuk u përshtaten rrethanave të tashme”, ka sqaruar Filion.

I gjithë rasti ka filluar gjatë janarit kur një çift homoseksual në Skoci të Re deshi të pajisej me dëshminë për sigurimin e fëmijës së tyre me ç’rast u desh të tregonin cili është babai e cili nëna e fëmijës, ka thënë zëdhënësi, përcjell aljazeera.

Kur bëhet fjalë për korrespondencën e shkruar, Qeveria e Kanadasë atë nuk do ta fillojë më me “Zotëri”, ose “Zonjë".

"Nuk ka më gjini. Letra dërgohet thjesht në emër të personit", ka thënë Filion.

Në bisedat telefonike, të punësuarit në institucionet shtetërore duhet ta fillojnë bisedën me pyetjen se si personi dëshiron t’i drejtohet, ka thënë zëdhënësi.

Këto masa janë pjesë e politikës liberale të Qeverisë së kryeministrit Justin Trudeau, e cila prioritet e ka luftën për barazi gjinore në nivelin shtetëror e ndërkombëtar.