Kuriozitet

Zbulohet në Mesapotomi një port sumer 4,000-vjeçar

Përfaqësuesit e një misioni arkeologjik italo-irakian kanë zbuluar rrënojat e një porti sumer 4 000-vjeçar në Mesopotami, një ndër zbulimet më të mëdha që mund të ofrojë njohuri të reja për qytetërimin më të lashtë të botës.

Sumerët u vendosën në Mesopotami, një zonë e Irakut modern, e njohur si djepi i civilizimit, dhe mbi 6 000 vjet më parë ata shpikën shkrimin, rrotën, plugimin, ujitjen, 24 orëshin e ditës dhe qytet-shtetet e para, rikujton DPA në shkrimin e saj, që e transmeton ATSH.

Bashkëdrejtuesit e misionit, Licia Romano dhe Franco D’Agostino nga universiteti “La Sapienza” në Romë, njoftuan se kishin zbuluar një nga portet më të lashtë në Abu Tbeirah, një vend i braktisur, rreth shtatë kilometra në jug të qytetit Nasiria.

“Ky është një nga portet më të lashtë të zbuluar ndonjëherë në Irak, pasi mbetjet e rrënojave në Mesopotaminë e lashtë (Irakun modern), ku u kryen hulumtimet , mendohet se i përkasin një periudhe 2000-vjeçare”, deklaruan ata.

Sipërfaqja ujore e portit, me një gjatësi 130 metra dhe gjerësi 40 metra dhe një kapacitet të barabartë me nëntë pishina të Lojërave Olimpike, mund të ketë shërbyer si një rezervuar gjigant për të frenuar përmbytjet e lumit.

“Sipas këtij zbulimi, qytet-shtetet sumere kanë mbetur të lidhura me deltën e lumenjve Tigër dhe Eufrat për një kohë shumë më të gjatë nga sa mendohej”, tha D’Agostino.

Gjithashtu zbulimi i fundit do të shërbejë si një ndihmë për arkeologët, që të hedhin dritë mbi goditjen e madhe të ndryshimeve klimatike, rreth 2 200 vjet para lindjes së Krishtit, që supozohet të ketë shkaktuar një thatësirë ​​të madhe në Mesopotami, duke sjellë fundin e qytetërimit super.