Kuriozitet

Rrëqebulli, specie unike në Shqipëri

Tiranë, 16 mars – Krahas studimit 10-vjeçar të rrëqebullit të Ballkanit me anë të metodologjisë me kamera-kurth, ekspertët e Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Shqipëri (PPNEA) po planifikojnë që ta njohin më shumë specien unike të vendit tonë duke përdorur metodologjinë me “Radio-telemetri”.

Kjo është një metodë e mjaft e përdorur në vendet perëndimore për studimin e jetës së egër dhe shumë frytdhënëse, duke gjeneruar kështu të dhëna të detajuara të biologjisë së rrëqebullit, si përdorimi dhe madhësia e habitatit, dieta, mbijetesa, sjelljet e kafshës etj.

Për të bërë të mundur këtë, ekspertët e PPNEA-së kanë ndërtuar dhe vendosur një “kuti-kurth”, e cila do të shërbejë për kapjen e kësaj specie dhe më pas lirimin e saj, pasi t’i vendoset pajisja me qaforen satelitore.

Në kuadër të “Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit – Faza IV” grupi i punës është trajnuar nga ekspertët e gjitarëve më të dëgjuar në Europë dhe do të përdorin të njëjtat metoda siç përdoren në botën perëndimore. Javën e shkuar, ekspertë të PPNEA-së realizuan një tjetër trajnim nga një ekspert i organizatës partnere MES (Macedonian Ecological Society) lidhur me procedurat, protokollet dhe përdorimin e pajisjeve që do të përdoren në këtë studim.

PPNEA ka tani ekspertizën e duhur për të bërë të mundur këtë studim, i cili ndodh për herë të parë në Shqipëri. Kutia e vendosur në Malin e Munellës ka vetëm qëllime studimore dhe specialistët e PPNEA-së, njoftojnë personat e zonës që të mos bëhen kuriozë dhe të ndërhyjnë në këtë pajisje, pasi mund të ndikojë negativisht në punën e tyre monitoruese.

{gallery}