Kuriozitet

Qeverisë i ngatërrohet Ministria që e krijoi vet

Descriptive Text

Kishte bërë bujë numri i madh i Ministrive në Qeverinë që drejtohet nga Ramush Haradinaj. Ishte bërë horë edhe kur nuk i njihte zëvendësministrat e tij, e thoshte se nuk është i obliguar që t’i mbajë mend të gjithë me emra.

Kur po bëhet gjysmë viti që po qeverisin, në Qeverinë e Kosovës ende nuk po mund të mësohen me emrat e ministrive që kanë krijuar. Një prej tyre është edhe ajo e Zhvillimit Rajonal.

Tek në mbledhjen e sotme, të 35-n me radhë, Qeveria e Kosovës ka miratuar emërimin e Fatos Qerimit për Sekretar të Përhershëm në këtë ministri, që drejtohet nga Rasim Demiri, raporton Koha.net. E në njoftimin që ka adresuar mediave Zyra për Informim e Kryeministrisë e ka huqur emrin e Ministrisë. I është dashur të sqarohet me një tjetër shkresë.

“Në komunikatën e lëshuar sot nga Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit, nga mbledhja e Qeverisë, është përvjedhur një gabim. Në pjesën ku njoftohet për emërimin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, gabimisht është thënë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. E ri përsërisim se bëhet fjalë për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal”, thuhet në sqarimin që kërkon mirëkuptim e ndjesë për këtë lëshim.

Kujtojmë se Ministria e Zhvillimit Rajonal u krijua rishtas pasi mezi u mblodhën votat e 61 deputetëve të nevojshme për krijimin e Qeverisë vitin e kaluar.