Kuriozitet

Himni gjerman po konsiderohet seksist

Gjermania po përballet me thirrje për të hequr fjalën “atdhe” nga himni i saj kombëtar – por jo për shkak të ndonjë percepsioni nacionalist apo për ndonjë lidhje me epokën naziste.

Janë feministet që po bëjnë thirrje që fjala të hiqet sepse thonë se është seksiste.

Në një letër të zbuluar nga mediat gjermane, komisionerja qeveritare për mundësi të barabarta ka bërë thirrje që himni të bëhet neutral ndaj gjinisë, raporton “The Telegraph”.

“Pse s’e bëjmë himnin tonë kombëtar të ndjeshëm ndaj gjinive”, ka thënë Kristin Rose-Möhring në një letër që ka rrjedhë në mediat gjermane. “S’do na bënte keq, apo jo?”.

Ajo ka propozuar që fjala “atdhe” të zëvendësohet me fjalën “vendlindje”, si dhe ka bërë thirrje që fjala “vëllazëror” të zëvendësohet me “guximtar”, transmeton Koha.net.

Por himni kombëtar gjerman vështirë se do të ndryshohet. Angela Merkel, e cila pavarësisht se është gruaja më e fuqishme në botë ka deklaruar publikisht se nuk është feministe, ka hedhur poshtë propozimin.

“Kancelarja është shumë e lumtur me himnin tonë të mirë siç është në formën e tij tradicionale dhe nuk sheh asnjë nevojë për ndryshim”, ka thënë zëdhënësi i saj.

Himni kombëtar gjerman veçse është himni më i ndryshuar në botë. Fjalët origjinale ishin shkruar nga poeti August Heinrich Hoffmann më 1841, por që nga viti 1945 vetëm strofa e tretë është kënduar, ndërsa dy të tjerat janë cilësuar si të papërshtatshme.