Kuriozitet

Adem Jashari nëpërmjet 200 mijë plumbave, për rekordin Guinness

Për nder të 20-vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prezak do të vendoset një mozaik i veçantë.

Është ky portreti i Ademit, i punuar me rreth 200 mijë gëzhoja fishekësh. E ideatori me këtë vepër synon të thyejë rekordin e Guinnessit.

Tash e sa vite, 27-vjeçari nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit, Besart Gashi, merret me një art të veçantë, ku përdor teknika të ndryshme në formimin e portreteve e figurave artistike, shkruan KP.

Fillimisht, artisti në fjalë, ka bërë punime nga druri, më të cilat është i njohur deri tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë, me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.

Ashtu sikur punimet e tjera, mozaiku i tij ka përmbajtje nacionale, zakonisht ka gdhendur e skalitur, fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar atë sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash.

Gashi me këtë krijim synon që të njihet edhe jashtë Kosovës, e synimi i tij shkon deri tek libri i famshëm Guinness, në të cilin pritet që ky i fundit të thyejë rekordin me mozaikun që e ka formatin 5x5, ose 25 metra katrorë.

Ai ka shpalosur edhe detaje tjera lidhur me këtë projekt, ku ka treguar se i janë nevojitur gjithsej 20 ditë pune, për ta realizuar projektin që vet e ideoi, por, puna e tij ishte në bashkëpunim me familjarë dhe miq, të cilët në mënyrë vullnetare kanë shprehur gatishmërinë t’i ndihmojnë.

“Edhe punëtorët i kam në mënyrë vullnetare, që kanë shprehë dëshirën të vijnë të më ndihmojnë, i kam vëllezërit, kushërinjtë, domethënë të gjithë jemi angazhuar të punojmë në mënyrë vullnetare. Pas përfundimit, më 5 mars do të vendoset në Prekaz, në Kompleksin Memorial, aty do të ekspozohet, do të qëndrojë tri ditë”, shtoi ai.

Artisti kosovar akoma nuk ka vendosur se ku do transferohet mozaiku i tij pas datës 7 mars, pasi fillimisht pretendon ta realizojë qëllimin e tij, që të jetë në listën e librit Guinness.

{gallery}