Kuriozitet

“Bulletin of the Atomic Scientists”: Vetëm dy minuta nga fundi i botës!

Uashington, 26 janar – Toka është vetëm dy minuta larg mesnatës së fundit të botës, njoftoi revista “Bulletin of the Atomic Scientists” që ka lëvizuar akrepin e kësaj ore me 30 sekonda për vitin e dytë radhazi, theksohet në shkrimin e DPA-së, që e transmeton ATSH.

Ora nuk ka qenë asnjëherë kaq afër mesnatës që prej vitit 1953, kur SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik patën arritje të rëndësishme në zhvillimin e armëve bërthamore.

Ky njoftim i bërë sot në Uashington vjen pas veprimit të një viti më parë nga grupi i shkencëtarëve që analizon këtë situatë, të cilët lëvizën orën nga tre minuta në dy minuta e gjysmë larg mesnatës.

“Çdo lëvizje afër mesnatës do të thotë një hap më afër apokalipsit”, thotë grupi.

“Ta konsiderosh situatën bërthamore botërore të parrezikshme do të thotë të nënvlerësosh rrezikun dhe menjëhershmërinë e tij”, thotë Rachel Bronson, presidentja e grupit.

Për të justifikuar këtë mendim ajo citoi “mungesën e parashikueshmërisë se si SHBA-ja mendon për të ardhmen dhe përdorimin e ardhshëm të armëve të saja bërthamore, një paparashikueshmëri që shfaqet në deklarata dhe tweets të bëra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”.

Bronson në marrjen e këtij vendimi theksoi edhe probleme të tjera si, “mungesa e negociatave për të përparuar drejt kontrollimit të armëve dhe të mospërhapjes së armëve bërthamore, testet bërthamore të Koresë së Veriut, pozicionimin bërthamor të Rusisë dhe një rritje të angazhimit drejt armëve bërthamore në Pakistan, Indi dhe Kinë”.

Ora e Fundit të Botës për herë të parë u shfaq në vitin 1947, si një grafikë në faqe të parë të revistës “Bulletin of the Atomic Scientists”.

Në atë kohë ishte vendosur shtatë minuta larg mesnatës.

Në vitet e fundit, grupi ka analizuar rrezikun për botën që vjen jo vetëm nga armët bërthamore, përfshirë ndryshimin klimatik dhe teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale.