Kuriozitet

Fëmijët e ngatërruar në maternitet, nuk duan të kthehen tek prindërit biologjikë

Dy djem të moshës 3 vjeçare, të cilët u ndërruan në maternitet në Indi, kundërshtuan vendimin e gjykatës për t’u rikthyer tek prindërit e vërtetë dhe nuk duan të ndahen nga familjet që janë përkujdesur për ta, transmeton AA.

Sipas lajmit të BBC-së, në një spital në shtetin Assam në verilindje të Indisë, u ngatërruan dy djem të cilët kishin lindur 5 minuta dallim njëri nga tjetri.

Fëmija i familjes myslimane, iu dha familjes hinduse dhe fëmija i familjes hinduse iu dha familjes myslimane.

Nëna muslimane, Selma Parbin, një javë më pas e ndau me bashkëshortin Sebahattin Ahmed, dyshimin se foshnja të cilën e emërtoi ‘Xhunejt’, nuk është fëmija i tyre.

Ajo thotë se që nga dalja nga spitali, ka dyshuar se Xhunejti nuk është fëmija i saj. “Nisa të dyshoj kur pash fytyrën e fëmijës të cilin ma vendosën në prehër në spital. Fëmija që ma dhanë në prehër, më ngjasonte me gruan e cila lindi në dhomën e njëjtë me mua. Edhe sytë i kishte shumë të vegjël. Në familjen tonë, askush nuk i ka sytë e vegjël", tha Parbin.

Ahmedi nga ana tjetër tha se: “Kur bashkëshortja më tha se ky fëmijë nuk është i yni, u zemërova dhe nuk i besova, megjithatë ajo këmbëngulte në pohimin e saj".

Ai tha se duke u bazuar në pohimet e gruas së tij, ka shkuar në spital për të hetuar rastin. Ahmed thekson se zyrtarët i thanë se një gabim i tillë është i pamundur dhe se bashkëshortja mund të ketë probleme psikike.

Ahmed, më pas ka vazhduar hetimin duke gjetur adresat e 7 grave të cilat kanë lindur në ditën e njëjtë me gruan e tij. Ai tha se ka shkuar në fshatin e gruas për të cilën dyshonte Selma, megjithatë nuk kishte guxim për t'u takuar andaj dhe familjes i dërgoi letër.

Në letër, Ahmed shkroi se ekziston mundësia që me familjen hinduse të jenë ngatërruar fëmijët dhe kërkoi prej tyre që të paraqiten në numrin e telefonit që ai ua dha.

Nga ana tjetër, Anil Boro dhe bashkëshortja Shewali Boro nuk u besuan asaj që thuhej në letër, megjithatë pranuan të njihen me Ahmedin dhe bashkëshorten e tij.

“Kur e pash Xhynejtin, nisa të besoj se ky pohim mund të jetë i vërtetë meqenëse ai i ngjasonte shumë bashkëshortit tim. U mërzita shumë dhe qava se përse të ndodhë diçka e këtillë", u shpreh Shewali Boro.

Selma Parbin tha se kur pa fëmijën e familjes Boro, të cilin e kishin emërtuar “Rijan”, e kuptoi se është djali i saj i vërtetë dhe deshi ta përqafojë megjithatë shtoi se Shewali Boro refuzoi këtë kërkesë.

Me të parë Rijanin, Ahmedi kuptoi që dyshimet e gruas së tij nuk janë të pabaza dhe dërgoi mostrat e gjakut nga Selma dhe Xhunejti për analizën e ADN-së. Testi i ADN-së, zbuloi se midis Selmës dhe Xhynejtit nuk ekziston asnjë lidhje gjenetike.

Pas raportit, Ahmedi ishte i sigurtë se fëmijët janë ngatërruar në spital dhe nisi procedurë gjyqësore për të marrë djalin e tij të vërtetë.

“Gjykata, në qershor të vitit 2016 vendosi që fëmijët të kthehen tek prindërit e vërtetë, megjithatë fëmijët qanë aq shumë kur deshëm t’i ndajmë nga familjet që i kanë rritur, saqë nuk mundëm të zbatojmë vendimin gjyqësor", u shpreh ai.

Anil Boro, nga ana tjetër tha se fëmijët janë ende të vegjël dhe se një ndryshim i tillë, do të ndikonte në aspektin psiqik. Të dyja familjet, për të parandaluar traumën e fëmijëve, e zgjodhën rrugën që të takohen me fëmijët e vërtetë në intervale të rregullta kohore.

Të dyja familjet deklaruan se gjëja më e përshtatshme është që fëmijët të bëjnë zgjedhjen e tyre pasi të rriten.