Kuriozitet

Jahti i Titos kthehet në muze

Aty janë negociuar edhe marrëveshje ndërkombëtare, Elizabeth Taylor dhe Sophia Loren kanë lundruar me të, me jahtin “Galeb”, simbol i Jugosllavisë së Titos para se të ndryshkej në një port kroat, që tashmë do të nisë një jetë të re si muze, pasi të rinovohet.

Pas vdekjes, në vitin 1980, të Josip Broz Titos, jahti u la të degradohej në portin e Rijekës, ndërsa federata jugosllave po shpërbëhej çka çoi në një sërë konfliktesh të përgjakshme.

Në vitin 2009, bashkia e bleu në ankand këtë anije prej 117 metrash, që ishte sekuestruar për shkak të borxheve të pronarit të saj grek.

“Objektivi është tashmë për ta kthyer në muze dhe në një atraksion të rëndësishëm në 2020 kur ky port i Adriatikut do të kthehet në kryeqytetin evropian të kulturës”, theksoi kryetari social-demokrat i Bashkisë, Vojko Obersnel, shkruan KP.

Një projekt i tillë është burim polemikash në një Kroaci ku konservatorët janë në pushtet dhe ku Tito cilësuar si një anti-kroat, është më i diskutuar se ish-drejtuesit e tjerë të mëparshëm të Jugosllavisë.

Nëse roli i tij në luftën kundër nazizmit nuk lë vend për dyshime, kundërshtarët e tij dënojnë diktaturën dhe kultin e personalitetit që vendosi.

Në shtator, nën presionin e nacionalistëve, Zagrebi e riquajti sheshin e tij “Tito”, një prej shesheve kryesore të kryeqytetit.

“Ideja me këtë anije nuk është të shfaqim lavditë e Titos, por të tregojmë historinë e Jugosllavisë dhe Kroacisë”, theksoi Vojko Obersnel.

Në bordin e saj, lideri jugosllav shkoi në vitin 1953 nëpërmjet lumit Tamiz deri në Londër për të takuar Winston Churchill, vizita e parë zyrtare në Britani e një presidenti komunist.

“Ka qenë pikërisht ‘Galeb’ ku janë organizuar diskutimet më të rëndësishme që i paraprinë lindjes së Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara (MNA)”, thekson Kristina Pavec, kuratore e muzeut bashkiak të Rijekës, e cila mbikëqyr projektin.

Ky forum politik, ku Tito ishte një prej iniciatorëve me Nehrunë (Indi), Soekarnon (Indonezi), Nasserin (Egjipt) dhe Nkrumahun (Gana), u krijua në vitin 1961 nga vendet që kërkonin të dilnin nga përballja e blloqeve Lindje-Perëndim nga Lufta e Ftohtë.

“Apartamentet e rezervuara për Titon dhe bashkëshorten e tij, Jovanka janë pjesët më të mirëmbajtura të anijes”, thekson Kristina Pavec.

Qyteti ka parashikuar një buxhet prej 40 milionë kunash (5,4 milionë euro), financuar në sajë të fondeve kulturore evropiane, për ta bërë “Galeb”-in një muze të historisë jugosllave, të pajisur me një hotel dhe një restorant.