Kuriozitet

Në Turqi, zbulohen “dhomat varre”, rreth 2.000 vjet të vjetra

Në qytetin antik Metropolis, i vendosur në qarkun Torbali në afërsi të Izmirit, së fundmi janë zbuluar disa “dhoma varre” me eshtrat e familjarëve, pranë të cilave ka pasur dhurata, të cilat sipas supozimeve i takojnë periudhës së shekullit të parë të erës së re, raporton aa.

Fondacioni Sabanxhi bëri të ditur se kanë përfunduar gërmimet e filluara në vitin 2017, të cilat kanë qenë në koordinim me Ministrinë turke të Kulturës dhe Turizmit dhe me Drejtorinë për të Mirat Kulturore dhe Muzetë e Turqisë.

Të dhënat e zbuluara gjatë gërmimeve, kanë dhënë më shumë informacione për jetën shoqërore në qytetin Metropolis dhe për mënyrën e varrimit të të vdekurve.

Gërmimet mes tjerash kanë dhënë edhe një fotografi për jetën tregtare të Metropolisit.

Zakonisht në Metropolis janë zbuluar varre për një person, dhe tani kjo është hera e parë që zbulohen "dhoma varre" brenda të cilave ka pasur harqe nga shekulli i parë i erës së re, që llogariten nga strukturat më të rëndësishme të periudhës antike.

Brenda varreve janë gjetur dhurata siç janë qirinjtë, pasqyra, lugë dhe një sërë gjësendesh tjera të cilat kanë dhënë një fotografi për ritualet të cilat janë bërë nga familjarët dhe miqtë e personave të vdekur.

Dhurata më e shpeshtë e zbuluar brenda varreve ka qenë qiriu, për të cilin supozohet se është lënë për të ndriçuar rrugën e të vdekurit.

Metropolisi, ku janë zbuluar rreth 11.000 gjësende, në dy vitet e fundit është vizituar nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Shefi i ekipit të ekspertëve përgjegjës për gërmimet, Serdar Aybek tha se punimet në Metropolis dhe në afërsi të tij kanë rezultuar me zbulime të reja për jetën shoqërore në Metropolis, por edhe për raportet e qytetit me qytetet tjera.

”Dhomat varre me harqet brenda tyre të cilat i pamë për herë të parë këtu, japin të dhëna të çmueshme për mënyrën e varrimit por paraqesin edhe gjurmë kulturore për banorët e Metropolisit. Zbulimet flasin se koncepti i familjes është bazuar në themele të shëndosha dhe se i njëjti është respektuar”, tha Aybek.

Drejtorja e Fondacionit Sabanxhi, Zerrin Koyunsagan, nga ana e saj tha se organizata ka për qëllim të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe të zbulojë sa më shumë detaje për qytetin i cili është i rëndësishëm për historinë botërore.