Kuriozitet

Dënim me 13 275 vjet burg për një njeri në Tajlandë

Një gjykatë në Tajlandë dënoi për mashtrim një shtetas të saj me më shumë se 130 shekuj burg, me saktë me 13 275 vjet.

Pudit Kittithradilok, 34 vjeç, pranoi se kishte organizuar një skemë piramidale dhe i vidhte paratë njerëzve që gënjeheshin nga përqindjet e larta të fitimit. Më shumë se 40 000 njerëz u mashtruan dhe investuan mbi 160 milionë dollarë në kompanitë e rreme të krijuara prej tij.

Gjykata e shpalli fajtor të paditurin për kredidhënie të jashtëligjshme dhe 2653 akuza mashtrimi. Mbledhja e viteve për çdo akuzë rezultoi në dënimin kolosal. Megjithatë, për shkak se ai rrëfeu dhe pranoi krimet e tij, dënimi u përgjysmua në 6637 vjet burg.

Por, ekspertët thonë se nuk pritet që ai të bëjë më shumë se 20 vjet burg, pasi ligji tajlandez vendos një maksimum prej 10 vitesh burg për këto akuza, sado herë që të jenë përsëritur.

Mediat në Bangkok shkruajnë se pavarësisht dënimit kolosal që bëri bujë dhe apeleve që pritet të pasojnë, enigma e vetme e çështjes janë milionat që Pudit mori dhe që janë zhdukur pa lënë gjurmë.