Kuriozitet

Arabia Saudite lejon hapjen e kinemave vitin e ardhshëm

Qeveria e Arabisë Saudite ka thënë se do të lejojë shfaqjen e filmave komercialë gjatë vitit të ardhshëm.

Arabia Saudite njihet si mbretëri konservatore e udhëhequr nga sunitët.

Ministria për Kulturë dhe Informacion ka njoftuar se, “kinematë komerciale do të mund të veprojnë në këtë vend gjatë vitit 2018, pas më shumë se 35 vitesh”, transmeton rel.

Ministria ka thënë se pritet që rreth 300 kinema të hapen deri më 2030.

“Hapja e kinemave do të jetë katalizator për rritjen e ekonomisë dhe diversitetit, duke zhvilluar sektorin kulturor ne do të krijojmë më shumë punësim dhe mundësi trajinimi, si dhe të rrisim mundësitë për argëtim në mbretëri”, ka thënë ministri për Kulturë dhe Informim, Awwad al-Awwad.

Kinematë ishin mbyllur në vitet e 80-ta, për shkak të presioneve të shumta, pasi të njëjtat shiheshin si kërcënim për identitetin kulturor e fetar.

Kritikët e kësaj ndalese kanë thënë se kjo praktikë nuk ka arsyetim në kohën e internetit.

Ky hap është pjesë e një serie të reformave të trashëgimtarit të fronit, Princit Mohammed bin Salman.

Kohën e fundit është bërë e ditur se është hequr edhe ndalesa e cila nuk lejonte gratë të drejtonin makinat.