Kuriozitet

Shpikja londineze, autobusë që lëvizin me…kafe

Gjyshet tona thonin se mbetjet e kafesë mund të përdoren në shumë mënyra, që nga maskat e bukurisë e deri te plehu për bimët. Por, zor se gjyshet do ta kishin menduar se me to do të prodhohej edhe karburant.

Në Londër, në fakt janë vënë në lëvizje autobusët e parë që djegin mbeturinat e kafesë, falë shpikjes së 27-vjeçarit Arthur Kay.

Ky i fundit, themelues dhe presidenti i kompanisë “Bio-Bean” ideoi një proces, përmes të cilit nxjerr nga mbeturinat e pijes më popullore në botë vaj kafeje, transmeton tch. Më pas, vaji i kafes përzihet me dieselin e zakonshëm, duke krijuar një biometan apo “B20”, siç quhet, dhe që vë në lëvizje autobusët.

Nuk bëhet fjalë për një karburant 100% të gjelbër, por përzierja me kafen ul tej mase ndotjen që krijon nafta e zakonshme.

Avantazhet e shpikjes janë të mëdha, e mes tyre përfshihen riciklimi i mbeturinave të kafes, reduktimi i dioksidit të karbonit dhe kursimi i karburantit. Deri tani, kompania “Bio-Bean” ka prodhuar 6.000 litra vaj kajefe nga mbeturinat e rreth 2.5 milionë filxhanëve.

Por, nëse llogarisim se në Britani konsumohen 2.5 miliardë filxhanë kafeje në vit, sasia e riciklimit të mbeturinave dhe karburantit më të pastër do të ishte shumë e madhe. Imagjinoni nëse kjo skemë shkon në Itali, shtëpia europiane e kafes, ku konsumohen mesatarisht 39 miliardë filxhanë kafeje në vit.