Kuriozitet

Treni niset 20 sekonda më herët, kompania japoneze kërkon ndjesë

Një kompani hekurudhore në Japoni ka kërkuar ndjesë, pasi një prej trenave të saj u nis 20 sekonda më herët.

Drejtuesit e linjës “Tsukuba Express” mes Tokios dhe qytetit Tsukuba thanë se u kërkonin ndjesë sinqerisht pasagjerëve për problemin e shkaktuar.

Në deklaratë, kompania nënvizonte se treni duhej të nisej në orën 9:44, duke saktësuar edhe 40 sekonda, sipas orës lokale, por ai u nis në 9:44 dhe 20 sekonda.

Shumë përdorues të medieve sociale reaguan të habitur nga ndjesa e kompanisë. Disa prej tyre thoshin se ndjesa për nisjen 20 sekonda para orarit është një nga gjërat e mira të Japonisë.

Sipas kompanisë, gabimi kishte ndodhur sepse stafi nuk kishte kontrolluar orarin e nisjeve. Në deklaratë thuhej se, sidoqoftë, asnjë klient nuk ishte ankuar për nisjen para kohe të trenit, nga stacioni që ndodhet në veri të Tokios.

Treni ekspres transporton pasagjerët nga Akihabara, në Tokion lindore, deri në Tsukuba çdo 45 minuta. Është e rrallë për trenat në Japoni, vendin me një nga sistemet më të besueshme hekurudhore në botë, që të nisen në një kohë të ndryshme nga ajo e përcaktuar.

Përdorues të hekurudhave në të gjithë botën, të habitur nga rasti i Japonisë, e kanë postuar në “Twitter” historinë, duke ngacmuar kështu operatorët e tyre hekurudhorë, veçanërisht në Britani, ku këto shërbime shpesh vonohen.