Kuriozitet

Shkon bashkë me papagallin në haxhillëk

Niğde, 2 nëntor - Pasha, një papagall gri afrikan, është gati të kryejë umren gjatë udhëtimit të tij të parë në Mekë, teksa qëndron i vendosur mbi supin e pronarit të tij nga Turqia qendrore.

Kuddusi Issi, i cili shet pemë të thata në dyqanin e tij në Niğde të Turqisë, tha për Anadolu Agency (AA) se ai dhe papagalli i tij i pandashëm kanë caktuar planet e tyre.

Pavarësisht se si mund të tingëllojë kjo ide, Issi e konsideron të natyrshme që ai të kryejë umren këtë nëntor me shpendin e tij më të preferuar.

"Pasha nuk mund të qëndrojë i ndarë nga unë", thotë Issi.

Ai tregon se të gjitha dokumentet e nevojshme zyrtare për ta marrë Pashën në vendin më të shenjtë të Islamit, Mekë, janë kompletuar.

Duke folur për përkushtimin e papagallit ndaj tij, Issi tha se Pasha madje as nuk ha nëse ai nuk është i pranishëm për ta ushqyer.

"Ai ha vetëm atë që i jap unë...Edhe pse qëndron në një dyqan me pemë të thata, ai nuk ha vetë", thotë pronari i dyqanit për papagallin e tij gri me bisht të gjatë dhe të kuq.

"Nëse largohem nga dyqani, ai nuk ndihet i lumtur, nuk ha asgjë dhe as nuk këndon, por nëse më sheh mua, ai bën gjithçka", rrëfen Issi.

"Këto lloje të papagajve janë të varur nga pronarët e tyre dhe bien në dashuri me ta", thotë Issi.

Duke folur në lidhje me talentet e papagallit të tij të pandashëm, ai tha se Pasha është ekspert në imitimin e zërave të ndryshëm dhe madje mund të flasë qindra fjalë.

"Tani mund të flasë 400 fjalë, e madje të imitojë zërat e telefonit, automjeteve, të qarave, të maceve, qenve, zogjve dhe të deleve", tha Issi.

Issi tregon se Pasha në kohën e lirë pëlqen të relaksohet dhe të shikojë televizor si shumica e njerëzve dhe në veçanti kënaqet me lajmet.

Pasha ka qenë vetëm 70 ditë i vjetër kur Issi e ka blerë atë. Ai ka mbushur tre vjet së fundmi, moshë e cila është ende mjaft e re për specien e tij, e cila është e njohur për jetëgjatësi deri në më shumë se gjysmë shekulli ndonjëherë.