Kuriozitet

Kinë, interesim i madh për vallëzimet nëpër sheshe

Descriptive Text

Qytetarët të cilët mblidhen në grupe në Kinë, çdo mbrëmje largojnë stresin duke vallëzuar nëpër sheshe, raporton aa.

Grupet të cilët mblidhen në lagje, parqe dhe sheshe të ndryshme në gjithë shtetin, po tërheqin vëmendjen e qytetarëve me vallëzimet e bëra në udhëheqjen e mësuesve të tyre.

Në kryeqytetin e Kinës, Pekin, zakonisht në mbrëmje pas daljes nga puna, qytetarët e Pekinit nga çdo moshë, të rinj, të moshuar dhe fëmijë nëpërmjet sistemeve të “vogla” të zërit, të formuara nga disa altoparlantë po e përjetojnë kënaqësinë e muzikës dhe të vallëzimit.

Në këtë vend, vallëzimi në çdo cep gjatë katër stinëve shihet si një aktivitet i zakonshëm.

Duke theksuar se sekreti i jetës së gjatë dhe të shëndoshë kalon nga lëvizshmëria, qytetarët me vallëzim e largojnë stresin dhe e ndjejnë veten edhe më energjik.

Sheshet dhe lagjet ku qytetarët kënaqen me ritmin e muzikës, shndërrohen në zona të panaireve. Vallëzimdashësit, praktikojnë artin e tyre me koreografi të ndryshme pa marrë parasysh të nxehtit e verës, të ftohtit e dimrit apo edhe reshjet e shiut.

Këto grupe gjatë fundjavës po realizojnë “shfaqje dhe koncerte të vogla” përpara qytetarëve të shumtë të cilët shprehin interesim për këtë aktivitet.

Vallëzimet në shesh ndonjëherë po bëhen me muzikat kineze, ndonjëherë me ato të muzikave të huaja, në të cilat mund të vallëzojnë edhe “djemtë e vjetër”. Ndërkaq edhe ata që kanë filluar rishtas, me kohë po profesionalizohen dhe së bashku po shfaqin koreografi kolektive.

Sipas hulumtimeve, numri i vallëzimdashësve të cilët po marrin pjesë në aktivitete të tilla në vend arrin në 100 milionë.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar 50 mijë e 85 persona nga 14 qytete në Kinë, në mesin e të cilëve ndodhen edhe Pekini dhe Tiencin, kishin thyer rekordin Guinness duke vallëzuar në mënyrë kolektive.

Më shumë se 50 mijë vallëzimdashës të cilët kishin të veshur tuta sportive, përkundër shiut dhe borës që kishte rënë, dhe duke vallëzuar me një koreografi kishin thyer rekordin e “Vallëzimit Kolektiv në Shumë Zona”.