Kuriozitet

Në kujtim të pushtimit të Washingtonit e djegies së Shtëpisë së Bardhë

Më 24 gusht 1814, trupat britanike dogjën rezidencën e presidentit amerikan, e cila akoma nuk njihej me emrin Shtëpia e Bardhë. Ata dogjën gjithashtu edhe Capitolin, si dhe shumë ndërtesa të tjera qeveritare në Washington.

Pushtimi dhe djegia e kryeqytetit përfaqësonte humbjen më serioze që pësuan Shtetet e Bashkuara në luftën e vitit 1812 me Anglinë.

Këto zhvillime ishin rezultat i konflikteve lidhur me lirinë e ujërave detare. Britanikët ishin në luftë me francezët dhe po u prisnin rrugën anijeve tregtare amerikane, të cilat mendohej se dërgonin mallra në Francë.

Kur anijet e Marinës Mbretërore ndalonin anije amerikane, nganjëherë ata i detyronin anëtarët e ekuipazhit amerikan të bashkoheshin me Marinën Britanike. Kishte raste kur sekuestrohej ngarkesa e anijes, megjithëse mund të mos ishte nisur për në Francë.

Qeveria amerikane tha se akte të tilla përbënin shkelje të lirisë së përdorimit të ujërave detare dhe u angazhua në luftë për të mbrojtur anijet tregtare amerikane si dhe lirinë e lëvizjes së anijeve amerikane në rrugët detare.

Lufta e vitit 1812 zgjati deri në nënshkrimin e një traktati për paqe në dhjetor të vitit 1814, i cili u ratifikua nga Senati Amerikan në shkurt të vitit 1815.

Sipas kushteve të traktatit, secila palë do të tërhiqej nga territoret e pushtuara dhe çdo gjë do të kthehej pak a shumë në gjendjen e para luftës. Pas përfundimit të luftës ndërmjet Britanisë dhe Francës, mosmarrëveshjet që kishin çuar në shpërthimin e luftës së vitit 1812, u fashitën.