Kuriozitet

“Peshkaqeni robotik” mbledh deri në 21 mijë shishe në ditë nga lumenjtë

“Peshkaqeni robotik” i shpikur nga kompania holandeze RanMarine mund të japë një kontribut të rëndësishëm në pastrimin e lumenjve.

Themeluesi i RanMarine është Richard Hardiman, të cilit i erdhi ideja për robotin pasi pa dy burra që përpiqeshin të mblidhnin mbeturinat nga varka e tyre.

Ai e quajti robotin e tij “WasteShark” dhe dizajni u frymëzua nga nofullat e mëdha të peshkaqenëve që gëlltitin gjithçka që iu del përpara. Roboti mund të mbledhë deri në 21 mijë shishe mbeturinash në një ditë.

“Kjo është një makinë autonome që mbledh mbetjet nga uji në nivelin e sipërfaqes. Këto mbetje mund të jenë plastike ose diçka tjetër, madje edhe biomasë si algat”, ka thënë Hardiman.

Roboti aktualisht po përdoret në lumin Thames në zonën e Canary Wharf në Londër, e cila vizitohet nga 120 mijë njerëz çdo ditë për punë ose pazar. Kjo zonë menaxhohet nga Canary Wharf Group, një grup që ka udhëhequr iniciativa të shumta për të reduktuar sasinë e plastikës për një përdorim. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, filxhanet e kafesë dhe ambalazhet e ushqimeve ende përfundojnë në ujë.

Roboti është ideal për mbledhjen e mbeturinave të tilla dhe është gjithashtu miqësor me mjedisin.

“Rosat dhe mjellmat i largohen atij dhe nuk është aq i shpejtë sa për të kapur peshk, ndaj është një zgjidhje e shkëlqyer”, përfundoi Hardiman.

VIDEO: