Kuriozitet

Aeroporti më i mirë për vitin 2023

Aeroporti Changi i Singaporit, një oaz e rrallë, është zgjedhur si aeroporti më i mirë në botë, duke rrëzuar Hamadin e Dohas së Katarit, sipas Skytrax.

Skytrax, një faqe për shqyrtim dhe renditje të linjave ajrore dhe aeroporteve me bazë Britaninë e Madhe, përpilon listën duke anketuar udhëtarët nga e gjithë bota dhe duke u kërkuar atyre të vlerësojnë të gjithë përvojën në aeroporte - nga check-in në nisje dhe gjithçka tjetër.

Aeroporti Changi i Singaporit kishte kryesuar më parë listën e Skytrax për tetë vjet rresht, por më 2021 dhe 2022 ra disa vende në listë pasi numri i pasagjerëve ra gjatë pandemisë, me aeroportin e Dohas që zuri vendin e parë në këto dy vjet.

“Aeroporti Changi në Singapor ka qenë gjithmonë i preferuari i udhëtarëve dhe sigurisht që ra gjatë COVID kur numri i fluturimeve u zvogëlua në mënyrë drastike”, ka thënë Peter Miller nga Skytrax për CNN Travel.

Miller thotë se aeroporti Changi ofron diçka për të gjithë dhe tregon se ky është “motor kyç” i popullaritetit të vazhdueshëm.

Disa nga atraksionet e Changit përfshijnë një ujëvarë spektakolare 40 metra, një kopsht fluturash dhe një kinema IMAX, dhe ka më shumë se 280 dyqane me pakicë dhe restorante.

“Changi i Singaporit është kryesisht një aeroport tranzit dhe sipas reagimeve të klientëve, aeroporti po ecën mirë sepse ofron një gamë kaq të gjerë lehtësish dhe komoditetesh për të gjitha llojet e klientëve – për familjet, biznesin dhe udhëtarët e kohës së lirë”, thotë Miller.

Aeroporti Hamad, i cili zuri vendin e dytë në listën e Skytrax këtë vit, ofron gjithashtu komoditete të dizajnuara për pasagjerët transit – duke përfshirë turne në qytet për ata që kalojnë më shumë se tetë orë duke pritur për fluturim.

Këtë vit, pesë vendet më të mira të Skytrax për vitin 2023 u zunë nga aeroporti ndërkombëtar i Tokios, i njohur si Haneda, aeroporti ndërkombëtar Incheon i Seulit dhe aeroporti i Parisit, Charles de Gaulle.