Kuriozitet

Asteroidi që ka potencial shkatërrimi po i afrohet Tokës, zbulojnë astronomët

Astronomët thonë se kanë zbuluar asteroidin më të madh në tetë vjet që mund ta shkatërrojë një planet, dhe se guri i madh i hapësirës do të kalojë kah orbita e Tokës.

Asteroidi me emrin “2022 AP7” u raportua nga studiuesit që vëzhgojnë gurët e hapësirës brenda orbitës së Tokës dhe Venerës, shkroi The Guardian të martën.

Autori kryesor Scott Sheppard me kolegë të tjerë të Institutit për Shkencë në Washington kanë thënë se kanë gjetur tre asteroide “mjaft të mëdhenj”, një prej të cilëve “2022 AP7”, që kalojnë në orbitën e Tokës, duke e bërë atë asteroid potencialisht të rrezikshëm.

Me diametër 1.1 km deri në 2.3 km, ekipi ka thënë se “2022 AP7” është asteroidi më i madh i rrezikshëm që kanë zbuluar qysh prej vitit 2014.

“Çdo asteroid me madhësi mbi 1 km konsiderohet vrasës i planetit”, ka theksuar Sheppard, duke shtuar se nëse një objekt i tillë e godet Tokën, ndikimi do të ishte shkatërrues për jetën siç e njohim ne.

“Sipërfaqja e Tokës me shumë gjasë do të ftohej ndjeshëm nga rrezet e Diellit që nuk do të arrinin në planet. Do të ishte ngjarje e zhdukjes masive siç nuk është parë në Tokë për miliona vjet”, ka thënë ai.

Megjithëse zbulimi i këtij asteroidi mund të sjellë në menje vizionet e asteroidit Armageddon që jepet në filmin “Don’t Look Up”, studimi ofron edhe siguri.

“Aktualisht, nuk ka shanse ta godasë Tokën”, tha Sheppard, duke shpjeguar se aktualisht “2022 AP7” kalon orbitën e Tokës kur Toka është në anën tjetër të Diellit.

Shtoi se ngadalë, përgjatë kohës, asteroidi do të fillojë ta kalojë orbitën e Tokës më afër planetit tonë. Por, shtoi ai, “kjo do të jetë shekuj larg në të ardhshme dhe ne nuk e njohim saktësisht orbitën e 2022 AP7 sa të tregojmë për rreziqet e tij”.