Kuriozitet

Rusit i bllokohet llogaria, pasi u tall me evropianët duke lënë gazin 24 orë lëshuar

Descriptive Text

Platforma e videove online, Twitch, bllokoi llogarinë e një përdoruesi rus, për një arsye shumë të pazakontë.

Rusi me nofkën “russiangas1”, siç u bë e ditur në rrjetin social Twitter, për 24 orë i mbajti të ndezura pllakat e shporetit me gaz, për t’u tallur me evropianët që po përballen me krizë energjetike dhe po e kursejnë gazin.

Të gjithë këtë, ai e shfaqi në video-live, derisa nga Twitchi i erdhi njoftimi se është bllokuar.

“Platforma e transmetimit Twitch ka hequr kanalin e një banori të qytetit Rostov-on-Don, me pseudonimin ‘russiangas1’, që i tallte evropianët me një transmetim gjatë gjithë orarit me ndezës gazi. Ai mburrej me çmimin e ulët të gazit në Rusi”, thuhet në njoftimin e platformës.

Me nisjen e agresionit rus mbi Ukrainë, për shkak të sanksioneve, shtetet perëndimore pezulluan importimin e gazit rus, me ç’rast disa vende, në mesin e tyre Gjermania e Franca, u alarmuan se do të kenë mungesë gjatë stinës së dimrit.