Kuriozitet

230 balena të bllokuara në një plazh të Australisë, përpjekje për t’i shpëtuar

Më shumë se 200 balena janë gjetur të bllokuara në një plazh të largët në bregun perëndimor të Tasmanisë në Australi, shkruan BBC.

Gjysma e tyre besohet se janë ende gjallë. Ekipet e shpëtimit po dërgohen në zonë.

Është e paqartë se çfarë i bëri balenat të dalin në breg të Macquarie Harbour, i njëjti vend i largët ku ndodhi bllokimi i balenave më i keq në Australi dy vjet më parë.

Incidenti vjen një ditë pas një bllokimi masiv në Tasmaninë veriore. Të martën, 14 balena u gjetën të vdekura në King Island.

Ekspertët po planifikonin një plan shpëtimi të 230 balenave të zbuluara të mërkurën, por operacioni do të ishte kompleks për shkak të vendndodhjes, ka thënë në një deklaratë Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit të Tasmanisë.

"Duket se rreth gjysma e kafshëve janë gjallë", thuhet në reagim.

Macquarie Harbour është në një zonë rurale e largët. Më shumë balena pritet të vdesin brenda natës.

Vendasit kanë mbuluar balenat e bllokuara me batanije dhe kanë derdhur kova me ujë mbi to në përpjekje për t'i mbajtur gjallë.

Balenat pilot janë gjitarë shumë socialë dhe janë të njohur për ngecjen në grupe, sepse ato udhëtojnë në komunitete të mëdha, të lidhura bashkë, të cilat mbështeten në komunikimin e vazhdueshëm.

Si përfunduan balenat në breg?

Balenat mund të kenë “lundruar keq”, mund të kenë ndjekur një udhëheqës të sëmurë ose të çorientuar, ose të jenë trembur në ujëra më të cekëta.

Ndryshimet klimatike, ndryshimet në mjedis, temperatura e ujit – mund të kenë ndikim.

Por arsyet e bllokimit të balenave mbeten një mister, si dhe pse ndodh kaq shpesh në Tasmania.