Kuriozitet

Fanella e Michael Jordanit shitet për mbi 10 milionë dollarë, thyen rekordin e Maradonas

Një fanellë e veshur nga ikona e basketbollit, Michael Jordan, gjatë ndeshjes hapëse të finaleve të NBA-së në vitin 1998 është shitur për një rekord prej 10.1 milion dollarësh.

Shtëpia e ankandeve Sotheby's thotë se artikulli tërhoqi vëmendje të madhe nga tifozët e sportit dhe koleksionistët, raportoi BBC-ja të premten.

Sotheby's tha se fanella tërhoqi gjithsej 20 oferta.

Kreu i veshjeve të rrugës dhe koleksioneve moderne të Sotheby's, Brahm Wachter, tha se ofertuesit ishin "të etur për të zotëruar një pjesë të rrallë të historisë".

“Rezultati rekord i sotëm e forcon Michael Jordan si G.O.A.T i padiskutueshëm, duke dëshmuar se emri dhe trashëgimia e tij e pakrahasueshme janë po aq të rëndësishme sa ishte gati 25 vjet më parë”, tha Wachter.

G.O.A.T është një akronim për "më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave".

Fanella tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 9.28 milionë dollarësh, të paguar për një këmishë të veshur nga ylli i futbollit, Diego Maradona në Kupën e Botës 1986.